Moti i keq, me reshje shiu intensive ka ndikuar në rritjen e nivelit të lumit të Vjosës, ku për pasojë në Novoselë lumi ka dalë nga shtrati dhe ka përmbytur 7 banesa, ndërkohë që 4 banesa të tjera janë përmbytur në Fitore. Prefekti Flamur Mamaj bëri me dije se banorët e shtëpive janë evakuuar nga zona, ndërsa situata vijon të paraqitet alarmante.

Ndërkohë, në Selenicë, në zonën e quajtur ‘Bishti i Malit, ka prezencë të ujit në rrugë. Ura e Mesaplikut është e dëmtuar dhe si rrjedhojë banorët e zonës kanë betur të izoluar.

Gazetari i Report Tv, Armand Xhelili bën me dije se niveli i ujit rreth orës 02:00 ka arritur në 8 m mbi nivelin e detit, nga 7.6 që ishte rreth orës 23:00 të një dite më parë.

Si pasojë e prurjes gjatë gjithë natës, diga e urës së Mifolit në Fitore është çarë dhe uji po rrjedh në pjesën e poshtme të saj, duke rrezikuar edhe banesat pranë bregut të lumit.

Nëse kushtet atmosferike do të vijojnë me reshje të dendura shiu, pritet që uji të shkojë në 8.2 metra mbi nivelin e ujit.