Në qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” Tiranë vijon puna për ndërtimin e spitalit të ri të Sëmundjeve të Brendshme.
Ky spital do të ketë një infrastrukturë ultramoderne të standardeve më të larta bashkëkohore, e cila do të hyjë në shërbim brenda vitit.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, ndau sot disa pamje nga punimet që po kryhen në këtë spital.
“Rilindja e shëndetësisë vazhdon. Vijon puna për ndërtimin e Spitalit të Ri të Sëmundjeve të Brendshme. Më e mira është përpara”, theksoi Manastirliu.
Nga ndërtimi i Spitalit të ri të Sëmundjeve të Brendshme dhe pajisjet mjekësore, përfitojnë 109 mijë pacientë.
Spitali i ri i Sëmundjeve të Brendshme do të ofrojë shërbimin e mjekësisë interne, shërbimin e reumatologjisë, alergologjisë, dermatologjisë dhe fizioterapisë që aktualisht ndodhen në godina të tjera të QSUT, dhe së bashku me shërbimet ekzistuese, ato të gastrohepatologjisë, hematologjisë, endokrinologjisë, nefrologjisë, dializës, njësisë së kardiologjisë, hemodinamikës dhe reanimacionit të kardiologjisë do të kompletojnë profilin e një spitali të mirëfilltë të sëmundjeve të brendshme.
Spitali i ri do të ketë edhe një spital ditor me 60 shtretër, për rritjen e eficiencës së shërbimeve. Ai do të ketë 9 salla leksioni dedikuar studentëve të mjekësisë, ku do të zhvillohen praktikat mjekësore, si dhe edukimi në vazhdim.