Roberto Mancini ka bërë një revolucion tek Italia. Lojtarë të rinj, futboll i bukur dhe modern, dhe një skuadër kompetitive dhe fituese.
Kombëtarja e kaltër i bëri të gjithë për vete në Euro 2020, dhe ia doli të shpallej kampione Europe për herë të dytë në histori.
Tani duhet siguruar kualifikimi në Katar 2022, me Italinë që nuk mund të humbasë një tjetër Botëror pas mungesës së madhe në Rusi 2018. Italia do të sfidojë Maqedoninë e Veriut dhe fituesin e çiftit Portugali-Turqi për një biletë në Botërorin e vitit të ardhshëm.
“Do të kualifikohemi në Botëror, sepse jemi të fortë, sepse ishim skuadra më e mirë në Euro 2020, sepse e merituam fitimin e turneut, por edhe sepse kemi humbur vetëm një ndeshje në tre vitet e fundit”, deklaroi Mancini për GDS.
Trajneri i katër herë kampionëve të botës u ndal edhe te Nicolo Zaniolo dhe Gianluca Scamacca, dy ndër lojtarët më të talentuar. “Zaniolo mund t’i japë shumë Romës dhe kombëtares: kur sulmon portën kundërshtare me kokën lart është i jashtëzakonshëm.
Scamacca zotëron gjithçka për t’u bërë një sulmues i kompletuar, mund të rritet edhe përmirësohet edhe më shumë. Çfarë ndodh nëse nuk kualifikohemi në Katar? Nuk më shkon në mendje një gjë e tillë, jam i bindur që do të fitojmë Botërorin”, përfundoi trajneri 57-vjeçar.