Kylian Mbappe fitoi garën me Robert Lewandowskin mbrëmjen e kaluar, duke u shpallur futbollisti më i mirë i vitit në “Global Soccer Awards” gjatë ceremonisë që u mbajt në Dubai.

Ylli i PSG-së ndihet i lumtur dhe i vlerësuar, teksa në prononcimin e dhënë për Sky Sport u ndal tek objektivat që ka dhe thuri elozhe për Marco Verrattin, shokun e skuadrës.

“Jam krenar që jam këtu me të gjithë këta lojtarë të mëdhenj. Është një kënaqësi e madhe të jem këtu me ta dhe të ndihem si një i tillë.

Pas një sezoni të mrekullueshëm në nivel individual, shpresoj të bëjë më mirë me PSG-në dhe Francën.

Nuk ka nevojë të mbyll sytë për të thënë se çfarë ëndërroj për vitin e ardhshëm: dua të fitoj Botërorin dhe Champions League”, deklaroi 23-vjeçari, i cili u ndal edhe te dyshja Donnarumma-Verratti.

“Të dy janë persona të jashtëzakonshëm dhe lojtarë të shkëlqyer, ata janë shumë të rëndësishëm për ne.

Verratti ka vite që është pjesë e PSG-së. mendoj se është mesfushori më i mirë në botë, ndërsa Gigio është e ardhmja e portës”.