Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar njoftoi të premten se do të zgjasë një skemë të përkohshme të vizave për punëtorët e huaj sezonalë deri në fund të vitit 2024, ndërsa gradualisht do të reduktojë kuotën nga viti 2023. Qeveria britanike tha se vitin e ardhshëm do të ofrojë 30,000 viza për punëtorët që shkojnë në Mbretëri të Bashkuar deri në gjashtë muaj për të mbledhur fruta, perime dhe lule, duke e rritur potencialisht këtë numër në 40,000.
Por që nga fillimi i vitit 2023, numri i vizave “do të fillojë të ulet”, tha qeveria, duke shtuar se po kërkon “një plan nga sektori për të shkurtuar varësinë nga punëtorët e huaj”.
Sektori duhet të përmirësojë pagat dhe kushtet, tha qeveria, duke shtuar se po ndryshon rregullat e skemës në mënyrë që punëdhënësit të paguajnë një “pagë minimale”. Zgjatja e kufizuar “arrin ekuilibrin e duhur të mbështetjes së industrisë ndërsa ajo kalon në punësimin dhe prioritetizimin e punëtorëve vendor,” tha Kevin Foster, ministër për Migracion, raporton AFP.
Pasi Britania e Madhe doli nga Bashkimi Evropian u bë e ditur se vendi ishte i varur nga punëtorët e huaj Njoftimi se numri i vizave për punëtorët e sektorit të bujqësisë do të zvogëlohet nga viti 2023 u kritikua nga një udhëheqës bujqësor në Skoci, ku punëtorët sezonal janë veçanërisht të kërkuar. Scott Walker, shefi ekzekutiv i Unionit Kombëtar të Fermerëve të Skocisë, shkroi në Twitter se qeveria “po nxirrte një lajm të keq në prag të Krishtlindjes”, duke shtuar se njoftimi se numrat e vizave do të reduktohen nga viti 2023 ishte “lajm shkatërrues për frutat dhe perimet e buta skoceze”.
Nënkryetari i Unionit Kombëtar të Fermerëve, Tom Bradshaw, megjithatë, në një deklaratë tha se ishte pozitive që qeveria po u jepte kultivuesve “qartësi mbi të ardhmen e skemës për tre vitet e ardhshme”.