Ka përfunduar votimi i fshehtë në Këshillin Kombëtar për propozimin e shkarkimit të kryetarit të Këshillit Kombëtar të PD-së Edi Palokës, anëtarëve të kryesisë Flamur Nokës, Aldo Bumçit, Gent Strazimit, Albana Vokshit, Oerd Bylukbashit si dhe sekretarëve Ervin Minarolli, Ivi Kaso, Belind Këlliçi e Ledina Mandia.

Kështu, me 251 vota pro, 4 kundër, 1 abstenim dhe 1 i pavlefshëm është vendosur shkarkimi i këtyre të fundit nga detyrat e tyre në kryesinë e Partisë Demokratike.

Jemin Gjana, anëtar i Këshillit Kombëtar, njoftoi se në votim morën pjesë 257 anëtarë, nga 478 anëtarë që ka Këshilli Kombëtar.

Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi ka deklaruar gjatë mbledhjes së Këshillit Kombëtar se emrat e propozuar, nuk do të përjashtohen nga partia por vetëm shkarkim nga funksioni i tyre.

Sipas tij, ata nuk respektuan thirrje për zhvillimin e Kuvendit Kombëtar të 18 dhjetorit, por organizuan struktura paralele, duke iu referuar Kuvendit të djeshëm të thirrur nga ish-kryeministri Sali Berisha.

Një ditë pasi Sali Berisha mblodhi Kuvendin, Këshilli Kombëtar e konsideroi lëvizjen e Berishës si anti-statutore dhe që ishte një përpjekje për të deligjitimuar institucionet e Partisë Demokratike deri në zhbërjen e saj si forca më properëndimore në vend.

Sot, Këshilli Kombëtar i Partisë Demokratike miratoi unanimisht rezolutën, e cila u propozua një ditë më parë nga kryetari i PD-së dhe dënon lëvizjen dhe veprimet të ndërmarra nga ish kryeministri Sali Berisha.

Në këtë rezolutë, cilësohet si nul Kuvendi i 11 dhjetorit dhe të gjitha vendimet e ndërmarra prej tij, ndërsa rezoluta afirmon se Kuvendi Kombëtar i datës 18 dhjetor është Kuvendi i vetëm i ligjshëm e gjithëpërfshirës i demokratëve.

Po ashtu theksohet se tubimi falsifikoi dhe përdori simbolet dhe logot e Partisë Demokratike në thyerje flagrante të normave statutore dhe ligjore.