Nga Blendi Kajsiu/ Në Kuvendin e 11 dhjetorit u fol shumë por u dha vetëm një mesazh: Sali Berisha është i paprekshëm, jo vetëm nga Lulëzim Basha por edhe nga Shtetet e Bashkuara. Në këtë aspekt Kuvendi 11 dhjetorit shpalli sovranitetin e Berishës jo vetëm përballë SHBA-vë por edhe përballë standarteve politike që PD-ja u kërkon politikanëve të tjerë.
Mesazhi u dha qartë nga shkarkimi i Bashës me 99,99% të votave (si në votimet e Partisë së Punës) nga po e njëjta trupë që vetëm disa muaj më parë e kish votuar Bashën kryetar me 80% të votave. E vetmja gjë që ndryshoi midis votimit të Bashës kryetar më 30 qershor dhe “shkarkimit” të tij më 11 dhjetor ishte qëndrimi i Berishës ndaj tij. Votimi më shumë se demokracinë e brendëshme (fitore me 99% të votës ka vetëm në mungesë të pluralizmit) reflektoi pushtetin e Berishës tek një pjesë e mirë e antarëve të PD-së.
Po kështu referendumi i datës 18 dhjetor u reduktua në vulë për vendimin e kuvendit. Të organizosh një referendum të antarësisë në një javë është qesharake. Shumë më qesharake se fushata për rizgjedhjen e Lulëzim Bashës në krye të PD-së më 30 qershor. Edhe Basha bëri sikur i lejoi kundërshtarët të bënin fushatë duke i dhënë nja tre javë kohë.
Një referendum është një përplasje mes dy opcioneve, po dhe jo, që nënkupton një hapësirë dhe kohë për shpalosjen dhe debatimin e tyre. Ata antarë të PD-së që janë kundër shkarkimit të Bashës kur do e kenë mundësinë, qoftë edhe teorike, për të bërë fushatë përpara votimit në referendum? Kaq mjafton për të kuptuar se kuvendi në fjalë s’kish fare të bënte me demokratizimin e PD-së, pavarësisht shpresave të pjesmarrësve.
Natyrisht për shumë mbështetës të Berishës argumentet e mësipërme nuk kanë vlerë sepse në fund të fundit doktorri ka me vete shumicën e demokratëve. Dhe kjo ka shumë mundësi të jetë e vërtetë, sidomos përballë një Bashe pa lidership që në vend të betejës preferoi të mbyllej në zyrë, në vend të takimeve me demokratët preferoi takimet me ambasadorët e huaj.
Ama është po aq e vërtetë se Sali Berisha nuk gëzon 99,9% të mbështetjes së demokratëve, apo të forumeve drejtuese të PD-së. Shumë prej tyre, edhe pse të heshtur sepse Basha i la pa zë, edhe pse mund të mos jenë shumicë, nuk janë dakord me foltoren dhe aq më pak me përplasjen e hapur me SHBA-të. Ndaj në një garë reale Berisha mund të fitonte përballë Bashës me 50%, 60% apo edhe 70% të votave, por kurrësesi me 99,9%.
Problemi është se Berisha për tu shpallur sovran në PD i duhet shumica absolute dhe e përjetëshme dhe jo shumica e thjeshtë dhe e përkohëshme që prodhon demokracia. Ai nuk mund të pranojë asnjë pakicë anti-berishiste në partinë e tij, qoftë edhe 20 apo 30%, sepse një ditë ajo mund të kthehet në shumicë. Ndaj ai bën kuvende si ai i 11 dhjetori aq anti-statutore saqë aty mund të shkojnë vetëm mbështetësit e tij. Përndryshe ai do kish marrë pjesë në Kuvendin e 18 dhjetorit ku ka shumë mundësi që me një shumicë solide (por jo 99%) ti ish imponuar Bashës.
Të njëjtin funksion kryen referendumi i datës 18 dhjetor që është jo vetëm anti-statutor por edhe anti-ligjor, sepse përpara organizmit të tij duhen legalizuar në gjykatë ndryshimet statutore. Pa përmendur faktin e thjeshtë që është cmenduri të bësh një referéndum brenda javës për një parti të madhe si PD-ja. Ndaj edhe ky referendum shërben si sitë ku kalojnë vetëm mbështetësit e Berishës. Nuk është cudi që sikurse në 11 dhjetor edhe në referendumin e 18 dhjetorit të votohet me 99% pro rrëzimit të Bashës nga të njëtët persona që e votuan dje kryetar.
Në këtë mënyrë Berisha identifikon mbështetësit e tij me tërësinë e Partisë Denokratike ku ai shfaqet sovran dhe i padiskutueshëm. Ndaj mesazhi i real i kuvendit të 11 dhjetorit ishte se në PD-në e doktorrit mund të humbasësh shumë palë zgjedhje, mund të dështosh në protesta, mund të gabosh në djegien e mandateve, në injorimin e reformës territoriale, në braktisjen e zgjedhjeve lokale, në braktisjen e reformës së drejtësisë, në përzgjedhjen dhe renditjen e kandidatëve për deputet, në mos-organizimin dhe bërjen rrumpallë të strukturës partiake në bazë dhe qendër para zgjedhjeve të përgjithëshme (të gjitha këto i ka bërë Lulëzim Basha) dhe përsëri të rizgjidhesh kryetar. Ama nëse pezullon Berishën nga grupi parlamentar edhe pse është shpallur non-grata për korrupsion nga SHBA-të, atëherë shkarkohesh me 99,9% të votave.
Kaq sovran është Berisha saqë edhe gabimet e tij të thella, që i ka pranuar edhe vetë, transformohen në burim meritash dhe legjitimiteti. Ai nuk mban përgjegjësi për sjelljen dhe mbajtjen për tetë vite me rradhë të tradhëtarit Basha në krye të PD-së. Përkundrazi, fakti që gaboi 8 vite me rradhë me Bashën e legjitimon për të rimarrë kontrollin e PD-së. Imagjinoni sikur dikush tjetër ta kish sjellë Bashën në krye të PD-së se cfarë do i punonte Kuvendi!
Ndaj më shumë se shfaqje e demokratizimit apo sovranizimit të PD-së kuvendi ishte dëshmi e trishtë e nivelit të lartë të nënshtrimit të një pjese të mirë të saj ndaj interesave personale të një individi. Në këto kushte shpresa e mjaft pjesmarrësve në kuvend se do ta instrumentalizojnë Berishën për demokratizimin e PD-së është delirante. Një parti që bazohet tek sovraniteti i një individi është pronë private, jo publike.
Akoma më larg realitetit është shpresa e disa të tjerëve se Kuvendi i 11 dhjetorit shënon sovranizimin e politikës shqiptare nga neokolionalizmi euro-atlantik. Më 11 dhjetor u shpall sovran Berisha, jo PD-ja, dhe aq më pak shoqëria shqiptare. Sovraniteti i tij bie ndesh jo vetëm me interesin e PD-së por edhe me vullnetin e shoqërisë shqiptare që në shumicën e saj e ka refuzuar prej kohësh. Ndaj të ngatërrosh sovranitetin e Berishës sot me sovranitetin e vendit është njësoj si të argumentosh se sovraniteti i Enver Hoxhës dje ishte identik me atë të Shqipërisë.