Milan nuk arriti të bënte mrekullinë kundër Liverpool dhe të vazhdonte të ishte pjesë e kompeticioneve europiane.

Një disfatë e “hidhur” kjo për skuadrën italiane e cila pa të mposhtej nga anglezët me shifrat 1-2.

Për Milanin aventura në Champions League, u rikthye pas nëntë vitesh dhe ishte diçka vërtet emocionuese për të gjithë.

Pas kësaj disfate ka folur edhe trajneri Stefano Pioli, i cili komentoi se çfarë nuk shkoi sipas tyre, edhe pse ne fund nënvizoi se kjo eksperiencë do e ndihmojë skuadrën të rritet.

“E dinim se ky grup ishte tepër i vështirë, dhe po ashtu ishte edhe kjo ndeshje, por për fat të keq ne nuk ishim në gjendje të mbanim një ritëm mjaft të lartë dhe bëmë shumë gabime, të cilat në këtë nivel janë të kushtueshme”, ka thënë fillimisht Pioli.

“Ka keqardhje, sepse mendoj se merituam më shumë, veçanërisht kundër Atletico Madridit dhe Portos në shtëpi. Thënë këtë, mund të ndodhë në këtë nivel për një skuadër kaq të papërvojë”.

“Ne kemi parë llojin e kundërshtarëve që ka në Evropë, cilësinë dhe fokusin e nevojshëm, kështu që do të mësojmë nga kjo. Qëndrimi në Evropë ishte objektivi ynë, por ne do të përpiqemi të marrim mësimet nga kjo përvojë dhe të vazhdojmë të rritemi”.

“Është zhgënjyese, por do të ndihmojë procesin e rritjes dhe ne kishim nevojë për përvoja të tilla për të na bërë më të fortë në të ardhmen”, deklaroi Pioli.