Ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku ishte e ftuar pasditen e sotme në emisionin “Top Talk”, në Top Channel, ku foli për projekte infrastrukturore, për energjinë dhe ujin, brenda Republikës së Shqipërisë.
E pyetur nëse do të kemi rritje të çmimit të energjisë elektrike në vitin 2022, ministrja Balluku u shpreh se konsumatori dhe biznesi i vogël nuk janë të prekur nga rritja e çmimit të energjisë.
“Ka përmirësim të ndjeshëm në kaskadën e Drinit, pas tre ditëve të fundit. Prisnim më shumë reshje nga sa patëm. Në këto momente ne prodhonjë në Koman dhe në Vaun e Dejës, jemi duke ruajtur Fierzën. Është përdorur gjatë tre ditëve të fundit me orare të caktuara kur ka qenë e nevojshme.
Nuk do të ketë rritje të energjisë elektrike për abonentët e 04, ose familjarët dhe bizneset e vogla. Qeveria ka marrë përsipër që të mbrojë të gjithë këtë fashë të konsumatorëve pa i krijuar atyre as edhe një qindarkë më tepër pagesë për energjinë elektrike”, tha Balluku.
Ndërsa pyetjes së kur mund të kemi 24 orë ujë në të gjithë vendin, Balluku iu përgjigj duke thënë: “Fillojmë me zonat urbane që duhet të dorëzohen brenda këtij 4-vjeçari dhe vazhdojmë me zonat prioritare turistike që janë ato në male apo buzë detit dhe duke përfunduar në të gjithë rrjetin rural kudo në Shqipëri.”