Nga Skënder Minxhozi
Po hyjmë në javën e kongreseve të Partisë Demokratike. Një force politike që nuk prodhon dot qeverisje prej tetë vitesh, por që çuditërisht ka luksin të mbajë dy Kuvende kombëtare paralele, në armiqësi të plotë mes tyre. Është java kur Berisha do të ngjitet në podium për herë të parë që nga viti 2013, në cilësinë e liderit. Jo të partisë, por të fraksionit. Është java kur skena politike shqiptare do të hyjë me gjasë, në një proces që do të influencojë mbi të gjithë spektrin politik, e jo vetëm mbi një parti.
Qindra analiza, deklarata, polemika e orë televizive ka kushtuar deri tani kriza brenda PD. Foltorja e Sali Berishës ka bërë xhiron e vendit, duke mbjellë pasiguri e përçarje në parti, pasi të njëjtin efekt e pati provokuar fillimisht vendimi i Lulzim Bashës për ngrirjen e mandatit parlamentar të Berishës. Dy akte paralele të cilat premtuan bashkim të partisë, por që sollën fiks të kundërtën: ndarje dhe rreshtim ballë për ballë të dy fraksioneve që sot duan ta eliminojnë deri edhe fizikisht njëri-tjetrin.
Mendjet e ftohta dhe indiferentët e këtij sherri, të cilët janë me shumicë sot në Shqipëri, nuk kanë munguar të ngrenë supet e të habiten nga dëshira vetëshkatërruese që Lulzim Basha dhe Sali Berisha po dëshmojnë ndaj vetes dhe ndaj forcës politike ku po e konsumojnë këtë sherr. Ka qenë e papritur sesi një dyshe si kjo, që nuk ka shfaqur asnjë plasaritje e fërkim publik që nga koha e largët e ardhjes në pushtet në 2005, papritur ka marrë armët dhe po tenton të lajë hesapet duke lënë pas vetëm rrënoja.
Shpërfillja ndaj dëmit dhe pasojave të pakthyeshme për PD, është ndoshta aspekti më i pashpjegueshëm i përplasjes Basha-Berisha. Ashtu siç do të mbetet e pashpjegueshme edhe sesi një parti që ka qeverisur vendin në gjysmën e tranzicionit, një forcë politike me qindra mijë votues, me një armatë ish-ministrash, deputetësh, ekspertësh ligjorë dhe figurash publike, të mos jetë në gjendje të numërojë e verifikojë një pirg fletësh të arshivuara në një cep të selisë së saj, ku ndodhet epiqendra e krizës nga aspekti procedural.
Kokëfortësia në dukje fëminore e naive për të mos prekur ato fletë, ka ngacmuar e provokuar lloj-lloj interpretimesh e teorish rreth motiveve të vërteta që shtynë Bashën dhe Berishën, që të mos ndërmarrin një proces negociimi, që do të ndihmonte të hidhej dritë mbi 4200 firmat e Kuvendit të 11 dhjetorit. Arsyetimet nisin me ruajtjen e privatësisë së dokumentacionit që përmbahet në ato dosje (një justifikim tepër naiv për t’u besuar), vazhdojnë me frikën për presione nga amerikanët, qeveria apo vetë PD zyrtare mbi firmëtarët, e përfundojnë me hamendësimet për parregullsitë që përmbajnë formularët e firmosur.
Kjo listë supozimesh e ka lënë evazive dhe të papërcaktuar shifrën e saktë të delegatëve të Kuvendit Kombëtar që sot janë rreshtuar me nismën e Berishës. Nuk dihen sa janë, nga vijnë dhe sa e kanë gërryer nga bazamenti PD zyrtare. Nuk dihet sa krerë lokalë, sa shefa partiakë që kanë në dorë vota dhe influencë rreshtohen sot me njërin ose me tjetrin kalorës.
Ky tym, kjo paqartësi dhe kjo pezulli që ka krijuar mossqarimi i statusit dhe i përmbajtes së 4200 formularëve në zyrën e Edi Palokës, duket e stisur enkas për të mbajtur sa më larg transparencën dhe kthjelltësinë në lidhje me përmasat e dy ushtrive që sot qëndrojnë pas supeve të Bashës dhe Berishës. Duket se fabula e formularëve të panumëruar është e ndërtuar në një mënyrë të tillë që të krijojë kërcënimin mbi kokën e Lulzim Bashës, por të mos japë asnjë detaj në lidhje me “armën” me të cilën ai kërcënohet. Indirekt kjo i vlen edhe vetë Bashës, që ka mundësinë të hedhë poshtë formalisht firmat e kundërshtarëve, duke insistuar se ka shumicën në parti.
Numërimi dhe verifikimi i formularëve të Foltores do të krijonte një impakt që sot s’e do askush që është i përfshirë në këtë konflikt të brendshëm në Partinë Demokratike. Sepse hapja e atyre fletëve do t’i hiqte automatikisht vizë njërit prej dy kongreseve. Nëse kontrollohen fletët e mbyllura në kasafortën e Palokës, ose 11 dhjetori, ose 18 dhjetori do të duhej të “hapnin krahun”. Pasi një numërim i dakordësuar i atyre fletëve do të prodhonte një situatë kryekëput të re në krizë, duke legjitimuar njërin nga dy rreshtimet.
Nëse gjendeshin më shumë se 1800 formularë të vlefshëm, Basha do të detyrohej të konsideronte legjitim Kuvendin e Berishës, duke anulluar paralelisht edhe Kuvendin e tij. Me fjalë të tjera, do të detyrohej të nënshkruante largimin nga partia. Nëse nga ana tjetër, në dosjet e firmosura do të gjendeshin parregullsi masive dhe më pak formularë sesa kërkohet për thirrjen e Kuvendit, Berisha do të dështonte me Foltoren dhe do të detyrohej të shpallte kapitullim publik.
Lënia pezull e mollës së sherrit, fletëve të firmosura nga fraksionistët, i jep de facto mundësi palëve që të mbajnë secila kongresin e saj. Duke e shtyrë qëllimisht aktin e domosdoshëm të transparencës që do të shmangte realisht çarjen e partisë. Refuzimi për të hapur ato fletë, është prova materiale se Lulzim Basha dhe Sali Berisha kanë shpërfillur totalisht fatin e Partisë Demokratike dhe po zhvillojnë një betejë tërësisht personale. Nga do të dalin që të dy të humbur në fund të këtij muaji. Kush mbjell stuhi, korr furtunën!