Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca, nëpërmjet një postimi në facebook, ka bërë me dije përditësimin mbi situatën e krijuar në vend, si pasojë e motit të keq.
“Vijojmë me vëmendje të veçantë e në komunikim intensiv me Drejtoritë e Ujitjes dhe të Kullimit në ndjekje të situatës së shkaktuar nga moti i keq.”, shprehet Krifca në reagimin e saj.
Ministrja thotë se deri më tani nga inspektimet në terren të Drejtorive të Ujitjes dhe të Kullimit Lezhë, Durrës, Fier dhe Korçë, rezulton se sasitë e konsiderueshme të reshjeve të rëna gjatë natës dhe që ende vazhdojnë, kanë ndikuar në rritjen e nivelit të ujit në infrastrukturën e kullimit, por pa krijuar probleme.
“Të gjithë hidrovoret janë në funksion të plotë dhe po punohet për mbajtjen e niveleve normale të ujit, megjithëse kemi rritje të prurjeve të ujit në kolektorët kryesor, që përcjellin ujin tek hidrovoret.”, thotë Krifca.
Ajo gjithashtu komunikon se nivelet e lumenjëve nuk përbëjnë shqetësim për dalje nga shtrati apo përmbytje.
Ministrja bën me dije se stafet teknike të Drejtorive të Ujitjes dhe Kullimit janë në terren dhe po monitorojnë nga afër situatën, kryesisht për të ndërhyrë me eskavator në rast të bllokimit nga papastërtitë e kanaleve kulluese, si dhe po vlerësohen në mënyrë dinamike nivelet e lumenjëve.