Nga Namir Lapardhaja/
Paradoksi më i madh i takimit të Sali Berishës ishte: Ai ka të drejtë të mbajë Kuvend, ndërsa të tjerët jo.
Njeriu që ankohet për mungesë demokracie, që nuk pyet asnjë institucion të partisë, asnjë ligj apo Statut, që deklaron se Kuvendi mund të vetëmblidhet nëse ¼ i ka firmat, nuk pranon se Kuvendi i Partisë Demokratike mund të mblidhet në mënyrë ligjore, statuore dhe institucionale.
Bëni si them unë, por mos bëni si bëj unë.
Kjo është demokracia sipas tij.
Nga ky moment për ata që duan të vënë logjikën në punë, bie gjithçka.
Nëse pretendon se i ke firmat e mjaftueshme, është shumë e thjeshtë: prit edhe pak ditë, nëse kryetari nuk i ka firmat që pretendon, është automatikisht i vetëshkarkuar.
Ky nuk është problem se e thotë Berisha për PD-në. Problemi është se një njeri i tillë në qeverisje, këtë lloj modeli do të përçojë. Ky nuk është halli thjesht i demokratëve, por i të gjithë shqiptarëve.
Gjatë gjithë kësaj kohe, ka akuzuar PD-në se merr vendime duke ngritur dorën kot, ndërkohë që vet i detyroi demokratët të ngrenë duart në një stadium. Në asnjë institucion, por në stadium.
Dhe, qershia mbi tortë, nga mospranimi i pasjes së një dosje ndaj tij nga DASH-i, kërkoi t’i hiqet “Non-Grata”, sepse Amerika ka gabuar me të, në të kundërtën do të tregojë muskujt.
Kjo të kujton kohën kur amerikanët sapo kishin shkuar në Hënë, kurse në një qytet jugor të Shqipërisë u mbajt festivali folklorik dhe, veç të tjerave, u kënduan edhe këto vargje:
“Na shet dëngla Amerika, me ca yçkla nga teknika”.