Këshilli i Ministrave miratoi sot disa ndryshime dhe shtesa në vendimin “Për përbërjen, rregullat e funksionimit dhe trajtimit financiar të grupit negociator dhe detyrat e Kryenegociatorit, për zhvillimin e negociatave të aderimit të Republikës së Shqipërisë në Bashkimin Europian” të ndryshuar.
Sipas këtij vendimi, Besfort Lamallari, zëvendësministër i Brendshëm dhe Julian Hodaj, zëvendësministër i Brendshëm, u caktuan bashkënegociatorë përgjegjës për kapitullin 24.
Po ashtu, Megi Fino, zëvendësministre për Evropën dhe Punët e Jashtme, negociatore përgjegjëse për kapitullin 31; Adela Xhemali, zëvendësministre e Financave dhe Ekonomisë, negociatore përgjegjës për kriteret ekonomike dhe kapitujt 4, 32 dhe 33.
Besart Kadia, zëvendësministër i Financave dhe Ekonomisë u caktua negociator përgjegjës për kapitujt 1, 2, 3, 6, 7, 20 dhe 30 si dhe bashkënegociator përgjegjës për kapitujt 19, 28; Vasilika Vjero, zëvendësministre e Financave dhe Ekonomisë, negociatore përgjegjëse për kapitujt 16 dhe 29.
Po ashtu, Ilir Bejtja, zëvendësministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, negociator përgjegjës për kapitullin 15; Albana Tole, zëvendësministre e Arsimit dhe Sportit, negociatore përgjegjëse për kapitullin 25; Nina Guga, zëvendësministre e Arsimit dhe Sportit, negociatore për kapitullin 26; Natasha Ahmetaj, zëvendësguvernatore e dytë në Bankën e Shqipërisë, negociatore përgjegjëse për kapitullin 17.
Të tjera shtesa në vendim janë: Romina Kuko, zëvendësministre e Brendshme, negociatore përgjegjëse për kapitullin 22; Enkelejda Muçaj, zëvendësministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, negociatore përgjegjëse për kapitujt 14 dhe 21, dhe bashkënegociatore përgjegjës për kapitullin 10; Denada Seferi, zëvendësministre e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, bashkënegociatore përgjegjëse për kapitujt 19 dhe 28; Mirlinda Karçanaj, drejtore e Përgjithshme e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, bashkënegociatore përgjegjës për kapitullin 10; Albana Koçiu, drejtore e Departamentit të Administratës Publike, negociatore përgjegjëse për reformën në administratën publike.
Anëtarët e Grupit Negociator, në bashkërendim me Kryenegociatorin, me qëllim garantimin e prioriteteve të kapitujve specifikë gjatë hartimit të programimit të asistencës financiare të Bashkimit Evropian për sektorët, për të cilët janë përgjegjës, japin mendim gjatë procesit të identifikimit të prioriteteve për mbështetje.
Kryenegociatori i paraqet Agjencisë Shtetërore të Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës prioritetet e dakordësuara në Grupin Negociator. Institucioni përgjegjës për kryesimin e secilit kapitull negociues siguron zbatimin e parashikimeve të kësaj pike.
Kryenegociatori në koordinim me Agjencinë Shtetërore të Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës jep mendim gjatë prioritizimit të projekteve me rëndësi kombëtare, në përputhje me prioritetet e përcaktuara në Strategjinë Kombëtare për Zhvillim dhe Integrim, strategjitë kombëtare ndërsektoriale dhe sektoriale.
Agjencia Shtetërore e Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës informon Kryenegociatorin për procesin e identifikimit të prioriteteve dhe programimit të asistencës financiare të BE-së, në funksion të procesit të aderimit në Bashkimin Evropian dhe të zbatimit të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit.