Në selinë e PD ka nisur mbledhja e Këshillit Kombëtar, ku kryetari Lulzim Basha është pritur me ovacione dhe duartrokitje në sallë nga anëtarët.
Të gjithë janë ngritur në këmbë dhe kanë duartrokitur duke pritur kryedemokratin. Ndërsa anëtari i Këshillit Kombëtar të PD-së, Ilir Kondi ka braktisur mbledhjen duke kërkuar që të vërtetohej kuorumi i nevojshëm, që sipas tij nuk u pranua nga Basha.
Një nga anëtarët e Këshillit Kombëtar, Ilir Kondi refuzoi të merrte pjesë në mbledhje, pasi pretendon se Basha nuk ishte transparent dhe nuk tregoi nëse në sallë është plotësuar kuorumi i nevojshëm.
“Në nderim të gjithë atyre demokratëve që më kanë zgjedhur, erdha të marr pjesë sot në një takim miting. Kërkova të verifikohet kuorumi i nevojshëm, por nuk u pranua nga Basha. Atmosfera e trajtimit të një anëtari të Këshillit Kombëtar ishte e paprecedentë, në të gjithë prezencën time në forume nga më të thjeshtat deri te më të lartat. Se kush i lejon vetes të shkelë procedurat dhe të mos i respektojë ato në funksion të këtyre ngjarjeve jetike për Partinë Demokratike është puna e tyre. Unë refuzoj të bëhem pjesë e një takimi miting në këtë seli, që është e shenjtë për të gjithë demokratët shqiptar”, tha ai.
Kujtojmë që në mbledhjen e sotme të Këshillit Kombëtar pritet të merren disa vendime, pritet që të votohet për shkarkimin e Edi Palokës, anëtarëve të kryesisë që morën pjesë në Kuvendin e 11 dhjetorit si dhe katër sekretarëve Belind Këlliçi, Ivi Kaso, Ervin Minarolli dhe Ledina Mandia.