Bujar Nishani ka folur për situatën në PD dhe faktin sesi po vepron Lulzim Basha.
Nishani theksoi se Basha shfrytëzoi partinë për interesa personale, duke shtuar se Lulzim Basha nuk ka kompetencat që të flasë në emër të PD-së, sepse është shkarkuar me votën e delegatëve.
“Basha s’ka kompetencë të flasë në emër të PD, ka dhunuar të drejtat e anëtarëve. PD nuk ka asnjë konflikt administrativ.
Basha ka përdorur Partinë Demokratike për qëllimet e tij personale. Lulzim Basha ka kryer akte dhe veprimtari në thyerje të ligjit. Kur drejtësia të mos jetë në dorë të Ramës, që është tutor i gjykatave në vend, besoj se do ketë drejtësi të vërtetë.
Është turp që Rama krahason Shqipërinë me Kosovën, për shkak se Kosova ka probleme me energjinë. Mos harrojmë se Kosova tani është bërë shtet dhe se burimet e Kosovës janë më të pakta se të Shqipërisë.
Rama duhet të thoshte para shqiptarëve se ku është vendi ynë në raport me Kroacinë apo me Greqinë. Situata në vend vazhdon të jetë e rëndë dhe shqiptarët nuk kanë shpresë për të ardhme më të mirë, Shqipëria është kthyer në vend migrator e po shkon drejt plakjes, ka degraduar gjendja”, deklaroi Nishani.