Presidenca, përmes Këshilltarit për Çështjet Ligjore, Bledar Dervishaj e ka konsideruar vendimin e Gjykatës Kushtetuese për zgjedhjet lokale si vendim “pa zgjidhje përfundimtare”.
Dervishaj tha se Gjykata Kushtetuese “për interesa që nuk përkojnë me ato të popullit shqiptar, hoqi dorë nga shërbimi i saj sublim”.
“Gjykata vendosi të rrëzojë kërkesën e Shoqatës së Bashkive, e cila i kishte kërkuar shpalljen antikushtetues të procesit të votimeve të 30 qershorit. Presidenti ishte pjesë e këtij shqyrtimi dhe mbështeti kërkesën e Shoqatës duke kërkuar pranimin e saj. Presidenti në këtë gjykim i kërkoi gjykatës e cila është instanca e vetme për zgjidhjen e vendimeve të marra nga organet e pushtetit qendror të përmbushë misionin që kushtetuta i ka dhënë në mënyrë të pavarur në mënyrë të plotë që të ofrojë një vendimmarrje të plotë duke adresuar edhe mënyrën e zgjidhjes së pasojave të rënda që kanë ardhur si pasojë e anshmërisë së çështjes së 30 qershorit. Ky vendim përfundimtar nga kjo gjykatë i zhgënjeu të gjithë. Për interesa që nuk i përkojnë shtetit shqiptar e shpalli veten jo kompetente për të mbrojtur vlerat e parimet më të larta shoqërore që ne si qytetarë kemi. Gjykata Kushtetuese me vendimmarrjen e saj për të deklaruar e la çështjen pa një zgjidhje përfundimtare. Nuk mori guximin t’i kthente përgjigje pyetjeve”, tha Dervishaj.
Sipas z. Dervishaj, Gjykata Kushtetuese ka anashkaluar pyetjet themelore duke anashkaluar një trajtim me themel të çështjes duke e kaluar në “juridiksionin politik”.
Ai tha se “3 pyetjet drejtuar Komisionit të Venecias nuk kishin lidhje të drejtpërdrejtë me objektin e shqyrtimin por kërkonin të orientonin dhënien e një opinion për të legjitimuar vendimmarrjen për shpalljen e mungesës së kompetencës”.