Nga Mero Baze
Sot Zyra e Departamentit të Thesarit të SHBA për kontrollin e aseteve të huaja, ka penalizuar 16 individë dhe 24 subjekte në disa vende të Europës, përfshi dhe Kosovën dhe Serbinë, në përputhje me urdhërin ekzekutiv 13 818, i cili ka në fokus autorë të korrupsionit, minimit të demokracisë dhe të drejtave të njeriut në botë.
“Biografia” e njerëzve të vendosur në këtë objektiv, është e ngjashme, dhe në disa raste më pak e rendë, se historia dhe biografia e Sali Berishës, i cili po ashtu është damkosur nga Departamenti i Shtetit dhe më pas është bërë pjesë e juridiksionit të Dekretit të presidentit të SHBA për këtë çështje.
Kjo do të thotë se Sali Berisha është një objekt i mundshëm i aplikimit të këtij ndëshkimi familjarisht, çka do të ishte një thellim i ndëshkimit zyrtar amerikan ndaj tij, në kulmin e një fushate anti-amerikane që ai po përpiqet të ngjallë përmes “Foltores” në shoqërinë shqiptare.
Thelbi i ndëshkimit nuk është se Berisha po ngjall frymë anti-amerikane, por se po përdor metoda politike për t’i shpëtuar ndëshkimit të korrupsionit dhe përballjes me drejtësinë.
Përdorimi i mjeteve politike për të shmangur ballafaqimin me drejtësinë dhe spekulimi me të drejtat politike për këtë çështje, është pikërisht ajo që kanë bërë shumica e kriminelëve politikë në gjithë botën që po futen në këtë listë.
Të tillë janë dhe serbët e Kosovës apo nacionalistët në Serbi, të cilët janë përfshirë sot në këtë listë.
Sali Berisha ka të njëjtin profil si ata. Ai ka marrë damkosjen si udhëheqës i korruptuar, si minues i demokracisë dhe shantazhues i sistemit të drejtësisë. Paralajmërimi i sotëm tregon se ai mund të jetë subjekt i futjes në listën e Departamentit të Thesarit, çka do t’ia bëjë më të vështirë përdorimin e milionave të korrupsionit kundër demokracisë.
Për t’u bindur për këtë do të mjaftonte të hetohej financimi i “Foltores”, transmetimet e shtrenjta televizive, pagesat për sallat dhe stadiumin “Air Albania”, që bën së paku 50 mijë euro dita, skena e shtrenjtë e marrë në Udine që po udhëton drejt Tiranës për mitingun e 11 dhjetorit, dhe milionat e hedhura në ”Foltoren” në SHBA, për të ngritur pyetjen se si një lëvizje politike anti-amerikane, për t’i shpëtuar ndëshkimit financohet nga paratë e korrupsionit.
Dhe këtu nuk duhet të ndëshkohet vetëm Sali Berisha, por duhet të kthejmë sytë dhe nga ata që bëhen mbulesë e këtij korrupsioni. Armando Duka përshembull refuzon të japë të dhëna për pagesën e faturës, TV Klan e bën në të zezë financimin e trasnmetimit të “Foltores”, biznesmenë të tjerë janë angazhuar të bëhen mbulesë financiare e një veprimtarie politike që synon mbrojtjen nga drejtësia të një personi të inkriminuar.
Dekreti i sotëm i Departamentit të Thesarit është një kambanë alarmi që bie për ata që kanë vesh. Vesh ka dhe Sali Berisha, por ai është në hall dhe s’ka rrugë tjetër. Puna është ta dëgjojnë të tjerët, që nuk kanë hallin e atij.