Njëri prej 2 zërave të vetëm kundër në Kuvendin e PD-së të thirrur nga Sali Berisha dje ishte Fatbardh Kadilli, i cili në fjalën e tij dje tha se vetëm nëse përjashtohet edhe Berisha nga gara ky Kuvend do të jetë rruga e re e Partisë Demokratike.
Paraditen e sotme Kadilli ka pasur një mesazh për Lulzim Bashën. Ai i ka kërkuar të hapë rrugë për zgjedhje të lira brenda PD-së pasi sipas tij vetëm gara e ndershme e nxjerr nga kjo situatë.Ka vetëm një zgjidhje që ndalon luftën për pushtet që po zhvillohet dhe mban PD-në e bashkuar: VOTA E ANËTARËVE. Përplasjet dhe alternativat e ndryshme duhet t’i zgjidhin anëtarët. Basha nuk e ka betejën vetëm me Berishën e as Berisha vetëm me Bashën. Të dy e kanë edhe me ne: ata që duan një drejtim të ri dhe vizion të ri të PD-së. Basha duhet të hapë rrugën menjëherë për mbajtjen e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Basha nuk mund ta mbajë pushtetin me zor. Shiheni këtë foto: me ndonjë përjashtim, asnjë nga pozuesit nuk ka kontribut në PD, nuk ka ndikim në publik, nuk ka vota. A mund të përjashtojnë këta kryetarët e degëve të zgjedhur nga anëtarësia? A mund të vendosin këta që në PD nuk duhet të ketë garë?”, shkruan Kadilli në Facebook.
Ai i bën një thirrje edhe anëtarë të Këshillit Kombëtar që pritet të mblidhet sot rreth orës 15:00.
“Dua t’u bëj thirrje pozuesve në këtë foto dhe në atë që do bëhet në Këshillin Kombëtar: Ndalni shkatërrimin e PD-së me përjashtime dhe mbyllje! Ndalni marrëzinë e mbajtjes së karrikes kundër vullnetit të shumicës së anëtarëve. Lejoni garën, lejoni anëtarët të vendosin. Kjo e shpëton PD-në. Kjo është demokracia. Kjo është qasja amerikane”, ka shkruar Kadilli.