Rigels Rajku, ose siç njihet në tregun muzikor, Noizy surprizoi fëmijët në Kosovë, i veshur si Babagjyshi i Vitit të Ri. Reperi këndoi për të vegjëlit në kampin e KFOR-it, ndërsa në rrjetet sociale ndau disa nga momentet e mini koncertit të tij.
Dy ditë më parë, kur artisti hyri në Kosovë u arrestua nga policia dhe u lirua disa më vonë. Noizy tha se nuk ishte njoftuar se ndaj tij ka një letë arresti, ndërsa tregoi se arrestimi ishte për përplasjen që ka pasur vite më parë me Cozman dhe mbështetësit e tij në një hotel në Prishtinë.
“Respekte për policinë e Kosovës por sistemi është m*t. Fakti që dikush vendos të nxjerrë një flet arrest pa të lajmëruar sikur të paktën një herë, ndaç me telefonatë, ndaç me postë, ndaç me e-mail të lënë të kuptosh se mbi policinë janë disa idiota që e komandojnë atë. Më e forta është se më thanë e kemi lajmëruar një shokun tonë që e njeh një shokun tënd për këtë rast. Sepse ty nuk mund të të gjenim kontakt. Vërtet është kaq e vështirë. Nejse. Bëhet fjalë për incidentin që ka ndodhur në Swiss Diamond në Prishtinë me 13 Shtator 2016. Dhe sipas tyre paskam një gjobë për të paguar dhe janë kujtuar pas 6 vitesh. Por kanë harruar të më kontaktojnë dhe kanë vendosur të nxjerrin fletë arrest. Edhe njëherë respekte për policinë e Kosovës për sjelljen njerëzore”, shkruan Noizy.
Sipas vendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, këngëtari ishte i detyruar ta qëndronte 100 ditë burgim ose të paguante gjobë prej 2000 eurosh dhe ai zgjodhi të paguante gjobën.