Nga Artur Ajazi
Në rast se Sali Berisha sot mund të quhet “fantazma e Partisë Demokratike”, pa asnjë dyshim Lulzim Basha, është hileqari dhe gaztori i saj. Eshtë simboli i paaftësisë, simboli i njeriut “drapër”, që ka luajtur dhe luan poker me fatet e një partie, dhe që ka arritur të sjellë vërdallë gjithë eksponentët e pavlerë që ka emëruar rreth vehtes. Ajo që po ngjet sot me Partinë Demokratike, ngarkon me përgjegjësi morale dhe penale jo vetëm Sali Berishën, shpurën e tij milionere që i vjen mbrapa nga halli, por edhe lidershipin aktual.
Po shkatërrojnë një parti, që u themelua si vlerë kombëtare, si vlerë e shqiptarëve që aspironin për liri dhe demokraci, duke krijuar klane dhe tarafe korruptive dhe kriminale. Partia Demokratike, është sot, ç’ka ka qenë për 30 vjet. Peng e Sali Berishës dhe Lulzim Bashës. I pari duhej të ishte në ndjekje penale, kurse i dyti pas acarimit të situatës më të fundit, duhej të ishte përballur me rivotimin nga ana e bazës së asaj force politike. Por ata kanë zgjedhur të bëjnë “ndeshje demash”, duke i zbuluar njëri-tjetrit aferat, krimet, lidhjet miqësore dhe misterioze, dhe duke shkelmuar të ardhmen e asaj partie.
Sali Berisha gjithsesi luan për “fitore”, sepse humbjen e ka në xhep, kurse Lulzim Basha duhet ta ketë të qartë se, në rast se PD ndahet, ai kurrë nuk vjen në pushtet, me copëzën që i mbetet. Vetëm një ribashkim i asaj partie, dhe padyshim largimi i të dyve nga skena politike, do ti jepte shansin asaj force politike të fitonte ndonjëherë zgjedhjet dhe pushtetin. Të vjen të qeshësh, se si Berisha dhe Basha, flasin për korrupsionin, se si sapo ndodh ndonjë arrestim, dalin dhe deklarojnë se “ishim ne që denoncuam, ishim ne që akuzuam, ishim ne që zbuluam aferat”.
Duket sikur janë në sinkron të dy njëherësh, por kur vjen puna tek fati i partisë, aty nis sherri, nisin akuzat mes tyre. Kjo ndodh sepse të dy bashkë me ogiçët e tyre, janë të zhytur thellë në llum. Ajo që po i ndodh Partisë Demokratike sot, duket si diçka e paralajmëruar, ndërkohë që Sali Berisha e ka të pandalshme rrugën drejt një kaosi të pashmangshëm, jo vetëm në selinë e partisë tij. Parashikimet janë se, pas datës 18 Dhjetor, kur Lulzim Basha të jetë “shkarkuar” nga referendumi, dhe Sali Berisha të jetë përjashtuar nga Partia Demokratike, do të dëgjojmë “xhevahire” të cilat do ti hapin punë organeve të drejtësisë dhe jo vetëm.
Do të dalin aferat e Rrugës së Kombit, tenderat e 8 viteve pushtet, Gërdeci, 21 Janari, aferat që i dinë dhe i kanë mbyllur njëri-tjetrit, deri tek dosjet që janë mbushur me zë dhe figurë. Partia Demokratike, duhej të kishte arritur me kohë dakortësinë e një ribashkimi final, por jo përmes foltoresve të Saliut dhe kuvendeve false të Lulzimit. Pas 18 Dhjetorit, ajo që do të mbetet në atë parti, do të jenë “seksioni Berisha” dhe “seksioni Basha”, dhe një seli e ndarë me mure betoni.