Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, publikoi sot emrat e anëtarëve në kuvendin e 18 dhjetorit.

“Edhe pse nuk ka qenë një standard apo traditë e PD-së të publikojë emrat e pjesëmarrësve në Kuvend, pikërisht për t’i shkuar transparencës deri në fund, kemi vendosur të bëjmë atë që premtuam, të publikojmë listën e plotë të anëtarëve të kuvendit”, deklaroi Bardhi. Ai kishte një mesazh për demokratët, që sipas tij kanë vetëm një zgjidhje, ose me vendimet e partisë ose jashtë.

“Shumica e anëtarëve të Këshillit Kombëtar kanë qenë prezentë duke konfirmuar shumicën dërrmuese të anëtarëve të kryesisë dhe këshillit kombëtar. Apeli im është një dhe vetëm një; të përqendrojmë të gjithë bashkë energjitë në luftën ndaj Edi Ramës. Tollovia e krijuar këto muaj nuk i intereson PD-së. Ka folur kryesia, këshilli dhe kuvendi i PD-së prandaj secili ka detyrimin për t’ju bindur institucioneve të partisë.

Në momentin që dikush del jashtë institucionit nuk ka asnjë lidhje me PD-në. Ditët që u mbyllën formularët në kasafortë e Palokës, juve ju premtua procesi i leximit të emrave nëse firmat ishin të falsifikuara dhe prezantimi i cdo pjesëmarrësi dhe kjo nuk ndodhi” tha ai duke shtuar se në total janë 7646 anëtarë të kuvendit kombëtar të PD-së.