Shtetet e Bashkuara dhe Franca kanë regjistruar shkallën më të lartë ditore të infektimit me koronavirus prej shpërthimit të pandemisë. Sipas të dhënave të Qendrave amerikane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (CDC), Shtetet e Bashkuara kanë raportuar për më shumë se 440,000 infektime të reja të hënën.
Megjithatë, zyrtarët kanë thënë se numri mund të jetë rritur për shkak të vonesave në raportime në kohën e Krishtlindjes. Franca ndërkohë ka bërë të ditur shifrën më të lartë të të infektuarve në Evropë në periudhë 24-orëshe.
Autoritetet franceze kanë regjistruar 179,807 infektime të reja të martën, derisa ministri francez i Shëndetësisë, Olivier Veran, ka paralajmëruar se “gjithçka tregon” se Franca mund të përballet me mbi 250,000 të infektuar brenda ditës në fillim të muajit janar.
Sipas tij, javët më të vështira “nuk kanë ardhur ende”.
Kryeministri francez, Jean Castex ka bërë të ditura kufizimet e reja më herët gjatë javës, duke përfshirë të paktën tri ditë të punës nga shtëpitë – për ata që munden – që nga janari. Italia, Greqia, Portugalia dhe Anglia kanë raportuar po ashtu shifra rekorde të infektimit të martën.
Ky lajm vjen teksa Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka paralajmëruar se rreziku nga varianti Omicron “mbetet shumë i lartë”. Sipas të dhënave të publikuara të martën, numri i rasteve të reja me koronavirus është rritur për 57 për qind në Evropë këtë javë, dhe 30 për qind në kontinentin amerikan.
Studimet kanë sugjeruar se varianti Omicron është më i butë sesa Delta, pasi ka 30 deri në 70 për qind më pak mundësi që njerëzit të përfundojnë nëpër spitale. Mirëpo numri i madh i personave të infektuar rrit shqetësimet se spitalet mund të stërngarkohen me pacientë.
Sipas të dhënave të CDC-së, mesatarja shtatëditore e personave të infektuar në SHBA është në nivelet më të larta ndonjëherë. Megjithatë, zyrtarët kanë thënë se 59 për qind e rasteve besohet se janë të lidhura me variantin Omicron dhe jo 73 për qind sa ishte raportuar më parë.
Eksperti për politika mjekësore, Scott Gottlieb, ka thënë se vlerësimet e reja sugjerojnë se “një pjesë e madhe e hospitalizimeve” janë të nxitura ende nga varianti Delta.
Përveç Francës, edhe shtete tjera evropiane kanë regjistruar shifra rekorde të infektimit të martën: Numri i të infektuarve në Itali ka arritur në 78,000, duke regjistruar rekord prej shpërthimit të pandemisë. Ky vend ka regjistruar edhe 202 viktima, duke e çuar totalin në 136,753.
Portugalia ka regjistruar 17,172 raste të reja
Ministri grek i Shëndetësisë, Thanos Plevris ka bërë thirrje për qetësi pasi ky shtet ka regjistruar 21,657 raste të reja
Qiproja po ashtu ka regjistruar rekord ditor me 2,241 raste
Në Angli, autoritetet shëndetësore kanë regjistruar 117,093 raste të reja. Për shkak të situatës epidemiologjike, qytetet si Parisi, Londra dhe Berlini kanë anuluar festimet për Vitin e Ri, ndonëse disa qeveri kanë pasur më pak gatishmëri për të vendosur kufizime në këtë periudhë.
Zyrtarët në kryeqytetin spanjoll, Madrid kanë thënë se do të festojnë me njerëzit në Sheshin Puerta del Sol. Italia, në anën tjetër, ka ndaluar mbajtjen e organizimeve të jashtme dhe ka mbyllur klubet e natës, mirëpo nuk ka vendosur kufizime në organizime private. /REL/