Situata në Partinë Demokratike e ndarë në dy kampe tashmë, mes Sali Berishës dhe Lulzim Bashës është në llogore shumë të forta. Për ish-anëtarin e Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike Edvin Kullurin, një zgjidhje mes palëve do të ishte zhvillimi i zgjedhjeve në të reja brenda strukturave të Partisë Demokratike, duke filluar nga seksioni më i vogël deri në zgjedhjen e kryetarit të ri. I ftuar në emisionin ‘Sot live në Shqipëri’, me gazetarin Andi Kapxhiu, Kulluri tha se nëse çështja do të shkojë në gjykatë do të ketë zvarritje procesi.

‘E vetmja zgjidhje është se të dyja palët të bien dakord që të hyhet në një proces zgjedhor nga seksioni më i vogël deri tek kryetari i ri i partisë, të dy palët duhet të bien dakord që të ketë zgjedhje të përbashkëta, të ngrihet një komision i përbashkët që të fusë partinë në një debat politik. Tani asnjë palë nuk dëgjon më njëra tjetrën. Lulzim Basha vazhdon turet virtuale. Po shkoj në gjykatë do të kërkojë kohë dhe nuk jam i sigurt nëse gjykatat tona kanë kapacitetin, mund të kemi gjykime të papritura, për më tepër se janë shumë interesa të mëdha në mes.’- tha Kulluri. Ish-anëtari i Këshillit Kombëtar në PD, tha se në grupin e Rithemelimit, janë bërë bashkë ato që i kanë vjedhur vota, kandidatëve për kryetar të PD-së, në procesin e fundit zgjedhor.

‘Kthimi tek 2013 dhe dështimet e njëpasnjëshme të Lulzim Bashës nuk i japin një të ardhme fituese të PD-së. Personalisht jam i painteresuar për dy partitë e ndara. Kam vënë re me shqetësim se në grupin e Rithemelimit janë palë ato që u kanë vjedhur votat për kryetar partie, sot i shoh të dyja palët që janë bashkë në komision, kjo nuk është e ndershme. Këtu duhet zgjidhje morale dhe jo hileqare.’– tha Kulluri.