Të rinjtë e atletikës do të kenë pistën e dedikuar olimpike në mes të Parkut të Madh të Liqenit të Tiranës këtë fundvit. Lajmi u bë i ditur nga Kryeministri Edi Rama, i cili publikoi pamje nga punimet për ndërtimin e pistës së atletikës.
‘Lajm i mirë. Të rinjtë e atletikës do të kenë pistën e dedikuar olimpike në mes të Parkut të Madh të Liqenit të Tiranës këtë fundvit’, shkruan Rama. Pista e dedikuar olimpike po ndërtohet nga bashkia e Tiranës përmes një fondi prej 58 milionë lekësh.
‘Jemi kujdesur për të ruajtur mjedisin, pemët, për t’i dhënë një oaz të bukur sportdashësve të atletikës. Jemi në fazën e ndërtimit të sistemit të tubacionit që mbledh ujin nga të dy shpatet’, shprehet përfaqësuesi i kompanisë së ndërtimit të pistës. Pista do të jetë e gjatë 175 metër dhe e gjerë 93 metër.