Qeveria polake po planifikon të prezantojë një regjistër të centralizuar të shtatzënive, i cili do të detyrojë stafin mjekësor të raportojë të gjitha shtatzënitë dhe abortet në qeveri.
Regjistri i propozuar do të hyjë në fuqi në janar të 2022, një vit pasi Polonia vendosi një ndalim pothuajse total për abortin.
Një iniciativë e tillë ka ngritur shqetësime serioze tek aktivistët e të drejtave të grave, të cilët mendojnë se regjistri mund të përdoret për të shkaktuar vështirësi ligjore për gratë që duan të ndërmarrin një abort të indikuar.
Projektligji është pjesë një projekti të gjerë për përditësimin e sistemit të informacionit mjekësor në Poloni.
“Ka të bëjë me kontrollin, ka të bëjë me sigurimin që shtatzënitë të përfundojnë me lindje”, tha Natalia Broniarczyk, një aktiviste nga Aborcyjny Dream Team për të përjavshmen polake, Gazeta Wyborcza.
Ministria e ka mohuar faktin se projekti përbën një regjistër të centralizuar për regjistrimin e shtatzënive, por ka deklaruar se ndryshimet bëhen për shkak të një projekti të përgjithshëm dixhitalizimi, i cili do të përditësojë mënyrën se si ruhen të dhënat për një sërë kushtesh, përfshirë alergjitë.
Komiteti i studiuesve të demografisë në Akademinë e Shkencave Polake ka reaguar në lidhje me projektin e qeverisë, duke shprehur shqetësimin se “propaganda pronataliste” do të ndikonte në kërkimin shkencor në institut.
Gjykata Kushtetuese një vit më parë shfuqizoi një ligj polak, cili lejonte abortin kur fetusi kishte anomali apo ishte i dëmtuar. Gjykata argumentoi se fetusi ishte qenie njerëzore dhe për këtë arsye gëzonte mbrojtje ligjore.
Aborti në Poloni lejohet vetëm në rast incesti ose kur vë në rrezik jetën e nënës.