Prefekti i qarkut Dibër, Nexhbedin Shehu tha për ATSH-në se në këtë qark të gjitha rrugët janë të kalueshme, ndërsa në Rrugën e Arbrit në Qafë Murriz qarkullimi bëhet me zinxhirë
Prefekti informoi se të gjitha strukturat e bashkive, Mat, Bulqizë, Klos dhe Dibër kanë qenë në gatishmëri për pastrimin e rrugëve nga reshjet e borës, ndërsa theksoi se aktualisht janë ndalur reshjet e borës në territor.
“Rrugët nacionale janë të kalueshme, ndërsa segmentet rruga e Arbrit në Qafë Murriz lëvizet me vështirësi, segmenti Kuben-Vasie në Kala të Dodës kalohet me vështirësi. Ura e Qerenecit, Klenjë e kalueshme, ndërsa e bllokuar Klenjë-Stevlevë. Rrugët rurale të kalueshme, por të bllokuara kemi vetëm njësinë administrative Lurë ku po punohet me mjete për t’u lidhur me Lurë-Rrëshen. Nga njësitë vendore po punohet me mjete e forca për hapjen e rrugëve të brendshme me qendrat administrative”, shprehet ai.
Po ashtu, Shehu shprehet se ka pasur ndërprerje të energjisë në disa fshatra dhe grupet operative po punojnë në terren për riparimin e defekteve.
“Kemi mungesë të energjisë elektrike për shkak të dëmtimit të disa shtyllave të tensionit të lartë nga dëbora në njësitë Lurë, Kala e Dodës, Fushë Çidhën, Muhurr pjesërishtë, njësia Tomin, pjesërisht, të Bashkisë Dibër dhe njësitë Ostren dhe Trebisht të Bashkisë Bulqizë. Po punohet nga grupet e punës të OSSHE-së, por me pak forca për kthimin e energjisë në këto njësi”, shprehet ai
Edhe bashkia Dibër njofton se vazhdon punë në terren për të zhbllokuar të gjitha akset rrugore të bashkisë nga bora e 24 orëve të fundit.
“Që prej mbrëmjes së djeshme, reshjet e dëborës vijojnë me intensitet, ndërkohë firma kontraktuese e bashkisë Dibër vazhdon pa ndalur punën në terren për të zhbllokuar dhe mbajtur hapur rrugët në qytet dhe fshatra. Ju bëjmë thirrje drejtuesve të automjeteve që të tregojnë kujdes dhe të lëvizin me zinxhirë”, njofton bashkia.