Varianti Omicron i Covid ka vendosur me shpatulla pas murit Anglinë dhe Premier League. Situata është drejt kolapsit, me rastet e lojtarëve pozitivë që rriten me ritme të frikshme.
Te Chelsea u konfirmuan pozitivë Lukaku, Werner, Chilwell e Hudson-Odoi, Liverpool ka rastet e dyshuara të Van Dijk, Fabinho e Jones.
Ndërkohë, Liga Angleze e futbollit njoftoi shtyrjen e pesë ndeshjeve të fundjavës. Pas Manchester United-Brighton, nuk do të luhen as Southampton-Brentford, Watford-Crystal Palace, West Ham-Norwich dhe Everton-Leicester.
Me situatën e infektimeve që ka dalë jashtë kontrollit, u vendos të mos luhej as ndeshja ndërmjet Leicester dhe Tottenham, sepse te “dhelprat”, ashtu si edhe te skuadra e Conte, u konfirmuan të tjera raste me lojtarë pozitivë.