Në fjalimin e marrjes së presidencës franceze të Këshillit të Bashkimit Evropian, Presidenti francez Emanuel Macron ka folur edhe për Ballkanin Perëndimor dhe rrugëtimin e tij drejt unionit. Macron është shprehur optimist për rrugën e Ballkanit Perëndimor drejt BE, duke theksuar se: ”Fqinjët më pranë nesh janë Ballkani Perëndimor. Në muajin qershor do të organizojmë një konferencë për Ballkanin Perëndimor sepse, më shumë sesa të qënurit fqinj, Ballkani është në zemër të Evropës dhe për këtë mjafton t’i hedhësh sy hartës, mjafton të shohësh histornë tonë.”

Por Macron, gjatë fjalës së tij në fakt theksoi ato që kryeministri Rama deklaroi në 8 nëntor në një intervistë për median greke “Ta Nea”, sa i përket tensioneve të mundshme në rajonin tonë. “Gjërat nuk kanë arritur në atë pikë që të kemi frikë nga destabilizimi, por duhet të jemi të kujdesshëm”, tha kryeministri shqiptar për gazetën “ TA NEA”. Ai u bëri thirrje faktorëve politikë në rajon, por edhe brenda Bashkimit Evropian, që “të jenë të kujdesshëm e që të mos nënvlerësojnë simptoma të tilla”, duke shprehur vlerësimin e tij se “gjërat nuk kanë arritur në një pikë ku t’i frikësohemi destabilizimit”.

Lidhur me këtë temë, Macron duke e parë njëlloj si Rama këtë risk, theksoi se: ”Ky rajon sot përshkohet nga tensione të reja dhe atje po rikthehet historia, në disa raste madje në formën e saj tragjike; prandaj kemi një përgjegjësi shumë të veçantë sot lidhur me Ballkanin Perëndimor.”

Fjala e Macron:

Fqinjët më pranë nesh janë Ballkani Perëndimor. Në muajin qershor do të organizojmë një konferencë për Ballkanin Perëndimor sepse, më shumë sesa të qënurit fqinj, Ballkani është në zemër të Evropës dhe për këtë mjafton t’i hedhësh sy hartës, mjafton të shohësh histornë tonë. Ky rajon sot përshkohet nga tensione të reja dhe atje po rikthehet historia, në disa raste madje në formën e saj tragjike; prandaj kemi një përgjegjësi shumë të veçantë sot lidhur me Ballkanin Perëndimor.

Ne duhet të ndjekim një politikë riangazhimi në rajon, por edhe një politikë investimesh për të nxitur integrimin ekonomik të tij, për të zhvilluar këmbimet mes njerëzve, për të ngritur çështjen e minoriteteve që përshkon të gjithë rajonin, si edhe për të luftuar ndërhyrjet dhe manipulimet të cilat janë vepër e një numër fuqish rajonale të cilat kërkojnë që, përmes Ballkanit, të destabilizojnë Evropën.

Unë besoj se kjo punë, e cila është një punë sa politike aq edhe ekonomike në lidhje me Ballkanin Perëndimor, është një agjendë e vërtetë sovraniteti për Evropën tonë, sepse ne nuk do të mund të ndërtojmë një Evropë të paqes për pesëdhjetë vitet e ardhshme nëse e lëmë Ballkanin Perëndimor në gjendjen në të cilën ai ndodhet sot dhe, për këtë arsye, duhet qartësuar perspektiva evropiane e tij, duhet riinvestuar në këtë rajon për unitetin e tij, duke pasur një realisht ambicje të përbashkët për dekadat e ardhshme.