Kryeministri Edi Rama, vizitën e tij në SHBA, e ka nisur me një takim me përfaqësues të organizatës “Automation Alley”, një shoqatë biznesi jofitimprurëse e prodhimit dhe teknologjisë në Michigan, ku ka bërë me dije se vitin e ardhshëm do të jenë në Shqipëri, me mundësinë për të investuar. Në fjalën e tij, pas takimit, kreu i qeverisë shqiptare tha se ato do të vijnë në Shqipëri vitin e ardhshëm, e ku do të kenë mundësi për të parë e për të kuptuar nga afër se çfarë ndodh me Ballkanin e Hapur, i cili sjell një treg me të lirë dhe më të hapur.
“Sot u mikprita nga një grup përfaqësuesish të kësaj bote të mirënjohur të industrive automotive amerikane, folëm për oportunitet që ofron Shqipëria dhe gjetëm interes për të dëgjuar më shumë dhe ramë dakord një mision të tyre për të parë nga afër dhe për të kuptuar më mirë se çfarë ndodhë me Ballkanin e Hapur, për një treg më të mirë dhe më të hapur dhe për një pozicion më të favorshëm për investimet e huaja”, tha Rama.
Këtë e ka konfirmuar edhe përfaqësuesi i organizatës, ku vlerësoi mes të tjerëve edhe miqësinë mes 2 vendeve, duke konfirmuar se kjo do të përkthehet edhe në investime me përfitim dy palësh.
“E kam vizituar Shqipërinë, shqiptarët janë të mrekullishëm, jemi me fat që kemi një komunitet prej 120 mijë shqiptarësh shumë prej të cilëve janë miq dhe bashkëpunëtor, disa prej të cilëve i takuam më herët sot, duam që ta di Shqipëria që ne e vlerësojmë miqësinë tonë me përfitime midis dy vendeve, ne do të punojmë për organizimin e një misioni tregtar në Shqipëri dhe presim me padurim të vijmë për të përfituar nga miqësia dhe ngrohtësia që ka vendi për të ofruar”, tha përfaqësuesi i “Automation Alley”.
Rama ndodhet në SHBA, me ftesë të ish-sekretares amerikane të Shtetit, Hillary Clinton ku pritet që të marrë një çmimin “Voices of Solidarity Aëard” për strehimin e afganëve në Shqipëri. Gjatë qëndrimit 1 javor në SHBA, Rama do të zhvillojë edhe disa takime me komunitetin shqiptar në Amerikë.