Kryeministri Edi Rama gjatë një dëgjese me qytetarët për ligjin e bashkëqeverisjes ka shpjeguar se tashmë qytetarët kanë të drejtë të ankohen lehtësisht kur administrata nuk u zgjidh problemin që ata kanë shprehur. Në fjalën e tij, Rama u shpreh se në bazë të ligjit të gjithë personat që do të gjenden përgjegjës dhe nuk u janë përgjigjur qytetarëve do të ndëshkohen financiarisht dhe dëmi do të jetë tek rroga e tyre.
“Asnjë qytetar nuk mund të ankohet në mënyrë të përgjithshme, këtu është një pikë e madhe kthese në luftën kundër korrupsionit në administratë. Përveç kësaj, njëri aspekt është ai i shërbimeve që jepen, që janë mbi një mijë shërbime në e-albania. Tani është dhe ligji i ri, që për arsyet e mosarsyes të Zotit President që e ktheu në Parlament, por do të kaloj sërish siç është. Kjo do të thotë se kur qytetari aplikon për një shërbim dhe shërbimi nuk i jepet në kohë, qytetarit i lind e drejta duke u drejtuar në Shqipëriaqëduam.al dhe duke e denoncuar faktin.
Ligjërisht denoncimi i qytetarit shkon në rrugën e zgjidhjes në rastet kur qytetari ka të drejtë dhe përgjegjësit sanksionohen. Ligj i ri ka dy lloj sanksionesh ndjekja penale apo administrative për ata që e kanë penguar me qëllim, ose për shkak të paaftësisë së tyre, por tashmë me ligjin e ri ka dhe një sanksion financiar. Personat përgjegjës do të paguajnë nga rroga e tyre për dënimin që kanë shkaktuar”, tha Rama.