Situata me menaxhimin e ujit të pijshëm në Qarkun e Durrësit është shumë e rëndë në drejtim të arkëtimit dhe humbjeve në rrjet. Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku ka zhvilluar sot një takim me kryebashkiakët e qarkut të Durrësit, ku ka diskutuar për reformën e ujit. Ministrja tha se Durrësi është në një situatë specifike dhe kërkoi nga kryebashkiakët që situata të merret më seriozisht.
“Qarku i Durrësit është ndër qarqet më të mëdha. Numri i lidhjeve është 95.821. Në Bashkinë e Durrësit 75.6% ka qenë mosarkëtimi në vitin 2020, ndërsa në vitin 2021 mbi 80%. Kemi një rritje të ujit të papaguar në Bashkinë Durrës me 5.15%. Sa i përket Krujës është komplet një numër aspak i vërtetë. 88.3% në 2021 si normë arkëtime ndërkohë në verifikimet tona është pak mbi 43% . Totali i papaguar për qytetin e Durrësit është mbi 70 milionë euro, ndërsa për Krujën është mbi 7 mln euro”, tha Balluku.
Një kritikë e kishte edhe për kryetaren e Bashkisë Durrës.
“Mendoni se harxhoni ju më shumë si institucion i Bashkisë Durrës apo në një hotel. Mund të ma sqaroni kryetare. 149 metra kub në muaj ndërkohë që një biznes privat si hotel vetëm 13 metra kub. Është një situatë që kërkoj të merret seriozisht nga kryetarët e bashkisë. Kjo s’ka më lidhje me drejtorët e ndërmarrjeve. Unë e njoh dhe e kuptoj shumë mirë problematikën e Durrësit por duhet pasur kujdes”, tha ministrja.