E bardha dhe e zeza, dielli i dëborës dhe errësira. Më 29 dhjetor 2013 ndryshoi përgjithmonë rrjedha e jetës së Mikael Shumaker, një prej pilotëve më të mëdhenj të historisë së Formula 1, ai që e çoi Ferrarin në majën e botës së automobilizmit me 72 fitore.
Atë ditë, 7 herë kampioni i botës po shijonte një ditë skish në dëborën franceze të Meribel me djalin Mik, atëherë 14-vjeçar dhe tani pilot i Alfa Romeos, dhe një grup miqsh. Ato pista Shumi i njihte përmendësh, shkonte shpesh dhe kushtet e motit ishin optimale, por në kryqëzimin e dy pistave, Chamois dhe Biche, në orën 11.07 fati bëri të vetën në mënyrën më dramatike.
Shumaker shkoi përtej limitit të pistës, duke u përplasur me një shkëmb që dukej shumë pak. Përplasja e katapultoi më tej dhe aty goditi me kokë një tjetër shkëmb. Dhe ishte goditja fatale. Mikael kishte kaskën, me një telekamer të montuar, por mbrojtja e tij pati pak ndikim. Gjermani u transportua menjëherë në spital, gjendja e tij ishte e rëndë. Një helikopter i ndihmës së shpejtë e çoi në spitalin e Moutiers, më pas në atë të Grenoble, më i strukturuar për plagët në kokë. Situata dramatike, thuajse e pashpresë.
Shumaker kalon një arrest kardiak dhe vuan nga hemoragjia cerebrale. Operohet dy herë për të mbijetuar, ndërsa përreth sptalit formohet një kordon tifozësh që manifestojnë mbështetjen e tyre me flamuj dhe banderola, veçanërisht më 3 janar, në ditëlindjen e kampionit. Jashtë ka lutje, brenda bëhet e pamundura për të kaluar gjendjen kritike. Pastaj një mur heshtjeje absolute për Shumin.
Lajmet e vetme zyrtare vijnë nga konferencat për shtyp të mjekëve, në marrëveshje me familjen. Ka një rezervim shumë të ngushtë për të mbrojtur privatësinë e gjermanit.
Shumi është në gjendje të rëndë, kalon një infeksion polmonar, qëndron 4 javë në koma artificiale, nga e cila del gradualisht për të kaluar më pas muaj të tërë në rianimacion. Më qershor të 2014-ës transferohet në një qendër universitare në Vaud, në Zvicër, e specializuar për rikuperimin neurologjik. Gjendja e Shumakerit mbetet e rëndë, duke ushqyer edhe spekullime të çdo lloji, ndërsa në shtator 2014 ka një rreze dielli.
Kampioni transferohet në vilën e tij në Gland, e përshtattur si një spital dhe me një staf mjekësor të specializuar për t’i bërë kurat e nevojshme. Në krah bashkëshortja e palodhur Korina, zëdhënësja Sabine Kehm dhe Zhan Todt, ish-president i FIA-s dhe mik i ngushtë i pilotit.
Pas 8 vitesh misteri për gjendjen reale të Shumakerit mbetet. Thuhet se mund të ndjekë me shikim atë që ndodh përreth tij, por lajmet që dalin janë me pikatore. Në këtë kohë ka lindur edhe një fondacion me emrin e tij për qëllime bamirësi, një dokumentar në Netflix për jetën e tij, por ka pasur edhe lajme për vjedhje të kartelës klinike, janë publikuar foto të vjedhura me dron. Lajme që janë përgënjeshtruar, ka pasur edhe lëvizje sekrete dhe të blinduara në Paris në shtator 2019, në spitalin Georges Pompidou, për kura me qeliza staminale.
Realiteti, aq sa mund të ndërtohet, paraqitet i vështirë. Një Mikael Shumaker jo në rrezik jete, por shumë i dobët, me një dëm cerebral që kompromenton aftësitë e vetëdijes dhe lëvizjeve, si dhe i shoqëruar nga një ekip personash që e asistojnë me fizioterapi të përditshme dhe kura. Heshtja dominon, një mister dhe errësirë që pas 8 vitesh, për fat të keq, është ende në fatin e Shumit. Një kampion me kalë të bardhë i rrethuar nga vuajtja.