Zyrtarët e San Francisco në Kaliforni kanë ndaluar tymosen e duhanit brenda në shtëpitë private të njerëzve me argumentimin të ndalojnë tymosjen e pavullnetshme, ndërsa tymi i kanabisit çuditërisht lejohet.
Propozimi fillimisht përfshinte dhe ndalimin e kanabisit, por më vonë kjo e fundit u hoq nga ligji prej ankesave të aktivistëve që thonin se i vetmi vend ku lejohej tymosja e kanabisit ishte në privatësinë e shtëpive të tyre pasi tymosja në publik është e ndaluar.
“Ndryshe nga tymosësit e duhanit që mund të dalin jashtë shtëpisë për të reduktuar tymosjen dytësore përdoruesit e kanabis nuk kanë alternativa të tilla të ligjshme,” tha zyrtari i bashkisë Rafael Mandelman, i cili hartoi amendamentin për përjashtimin e kanabisit, shkruan rrjeti Associated Press.
Ligji parashikon gjithashtu dhënien e ndihmës për lënien e duhanit por nëse qytetarët shkelin ligjin në mënyrë të përsëritur mund të gjobiten deri në $1,000 në ditë.
Ligji nuk parashikon dëbimin e qiraxhinjve për shkelje të tilla por një gjobë në masën e $1,000 do të shkatërronte gjthsesi sistemin e pagesave të qerasë kështu që mund të përzërë ‘de facto’ njerëzit nga banesat e tyre.
Fakti që po ndalohen produktet e duhanit dhe jo ato të kanabisit duket i çuditshëm për shumë banorë të qytetit ku dikur cigaret ishin të kudondodhura ndersa kanabisi konsiderohej si një “drogë” e konsumuar nga “kriminelë, të droguar apo nga muzikantë rebelë”.
Studiuesit thonë se tymi i kanabisit është më pak i dëmshëm dhe shpërndahet më shpejt se ai i duhanit.
Ndërsa cigaret janë një nga shkaqet kryesore të vdekjeve në botë.
Ato përmbajnë metale dhe substanca kimike, helmuese apo kancerogjene që industria vendos për arsye të ndryshme si për ndryshimin e shijes apo krijimin e qëllimshëm të varësisë.