Zëvendësndihmës sekretari amerikan për çështjet europiane, Gabriel Escobar, deklaroi pas takimit me ministrin e jashtëm maqedonas Bujar Osmani, se Shtetet e Bashkuara po punojnë me bllokun europian që Maqedonia Veriore të integrohet sa më shpejt në BE, e shpresat shtohen dhe për Shqipërinë.
Escobar e bëri të qartë se administrata Biden po jep një mbështetje shumë të fortë për këtë qëllim. Madje sipas tij, RMV është praktikisht tashmë pjesë e bllokut.
“Qeveria jonë e përkrah fuqishëm integrimin europian të Maqedonisë së Veriut dhe jemi duke punuar me BE-në që kjo të ndodhë sa më shpejt”, ka qenë komenti i zyrtarit të lartë amerikan.
Presidenti maqedonas, Stevo Pendarovski e falenderoi nga ana e tij Escobarin për përkushtimin e treguar, ndërsa tha se shpreson që edhe rruga e Tiranës të hapet sa më parë.
Çelja e negociatave të anëtarësimit për të dyja vendet ka mbetur peng e vetos bullgare, që bashkë me Maqedoninë Veriore, ka bllokuar edhe Shqipërinë.