Një shaka e vjetër thotë: “Çfarë bën Zoti për të ndëshkuar amerikanët? U dërgon stuhi tropikale, uragane, tornado.
Dhe çfarë bën Zoti për të ndëshkuar kombet e tjera? U dërgon atyre amerikanë.”
Shakaja, thotë populli, është gjysma e së vërtetës. Për Shqipërinë mund të shtrohet ndryshe pyetja për shakanë me amerikanët, duke qenë se konsiderohemi populli më proamerikan në Europë. “Çfarë bën Zoti për të ndëshkuar ata që janë shpallur anti-amerikanë nga vetë SHBA, por që hiqen si pro-amerikanë?
“Ndoshta i mban me shpresë, për të ardhur në pushtet. Por nga një ndëshkim më i madh, që në “rithemelim” i pret me shi, të ftohtë dhe rebesh.”
Këtë shaka pavarësisht perspektivës po e vijon përpjekja e fundit për “rithemelimin” e opozitës plot 31 vjet nga themelimi i saj i parë, udhëhequr nga i njëjti politikan, i cili e mori këtë nismë pasi u shpall këtë vit zyrtarisht “non grata”, por jo vetëm kaq; i korruptuar dhe kundër vlerave demokratike dhe si tillë, zyrtarisht edhe një anti-amerikan.
E djathta e kapur prej tij ka pasur nevojë prej kohësh për një rithemelim dhe kjo nevojë vuri në lëvizje njerëz politikë kryesisht në dëshpërim, të cilët, kanë dëshmuar që janë armiq të betuar të institucioneve të pavarura dhe të vlerave demokratike.
Në Shqipëri për këtë qëllim ata mund të jenë kthyer sot në një bashkim të madh interesash hipokritësh, pa asnjë ideal, mes trashëgimisë fashiste, balliste, komuniste, legaliste dhe çdo formacioni tjetër politik që nuk u investua kurrë për të ngritur dhe zhvilluar institucione të pavarura dhe për të respektuar vlerat demokratike, si çdo vend normal europian.
Një nga tezat e tyre të preferuara për populizëm veç propagandës që fajëson këdo tjetër që bie ndesh me interesat e tyre personalë është nacionalizmi dhe patriotizmi “fake”, të cilën e përdorin, në fakt, si ‘armë’ forcat ekstremiste politike të ngjashme, që lindin kudo në kontinent kur ka kriza ekonomike.
Edhe pse bashkohen rreth anarkisë politike kaq shumë rryma abstrakte, ato si rryma antiamerikane që tashmë janë identifikuar, po vijnë duke u tkurrur dhe izoluar.
Mund të jenë një përqindje e vogël e popullsisë, – ose janë e shkuara, – thotë SHBA-ja zyrtare.
Si sekt në vendin tonë edhe Dëshmitarët e Jehovait mbledhin më tepër anëtarë në stadium, kur organizojnë kongrese, por megjithatë nuk janë pjesë e asnjërës prej feve zyrtare që njeh sot Shqipëria.
“Rithemeluesi” i opozitës së sotme e bëri gjyqin dhe u vetëshpall i pafajshëm, pa pritur që të pastrohej nga akuzat, nëse ato mund të ishin veç institucionale, apo edhe të veprës penale.
Ai u ‘pastrua’ vetë duke e akuzuar madje si të korruptuar institucionin më të lartë amerikan të politikës së Jashtme që e vuri nën akuzë. Mbi këtë guxim ai për këtë arsye mbledh rreth tij dhe mban me shpresë çdo anarkist që nuk njeh as ligj, as institucion. Nëse DASH i sjell prova organeve tona të drejtësisë, të sapokrijuara, a nuk do t’i quajë ai dhe politika pa institucione e tij sajesa politike akuzat e ngritura? Prandaj i duhej sot partia sikurse edhe rithemelimi i saj, që të shërbejë si një mburojë për të mos pranuar kurrë asgjë.
A mund të imagjinohet akuza e ndonjë vepre të mundshme penale ndaj çdo përfaqësuesi të këtij “sekti politik”, nëse vijnë mbi këtë frymë një ditë në pushtet, si dhe a shpreson ndokush në funksionimin normal të sistemit tonë të drejtësisë për të pasur më tepër shpresë dhe të ardhme mbi anëtarësimin në BE?
Kjo lëvizje i ngjan asaj të vitit ’90. A i pranoi kush krimet e komunizmit, ndonëse thuhet se ato nuk u manipuluan siç ka ndodhur fjala vjen me korrupsionin në këto tri dekada, por u bazuan në ligjet dhe kushtetutën e kohës. Kur amerikanët ishin futur në Shqipëri dhe kur u firmos kapitullimi i regjimit pati lëvizje anembanë vendit për mbrojtjen e figurës së shokut, Enver Hoxha.
Edhe fryma, edhe thirrjet ngjasojnë: Enver jemi gati kurdoherë! O Sali o hero gjithë Shqipëria ty të do!
Antiamerikanizmi është rikthyer kohët e fundit sërish në modë. Antiamerikanizmi, megjithatë, është i përhapur vetëm nga disa vende në BE. Në Francë ai ka qenë pothuajse politikë kombëtare e paracaktuar që nga Charles de Gaulle.
Në Gjermani, është i ndaluar dhe vetëm e majta ekstreme angazhohet aktualisht në një linjë antiamerikane.
Në Evropën Lindore, anti-amerikanizmi është loja e preferuar e forcave pro-ruse. Forcat apo grupimet anti-amerikane janë në shumicën e rasteve në opozitë. Ndonjëherë ata ulen edhe me qeverinë, ose bashkëpunojnë me segmente të saj. Nuk kanë ideologji, veç predikojnë pushtet dhe ngrihen bazuar në interesa ekonomikë dhe politikë sipas modelit sovjetik. Përmes një retorike djallëzore në vende si Shqipëria ata pretendojnë se janë pro-perëndimorë, megjithëse ndonjëherë amerikanët bëjnë sikur nuk i kuptojnë.
Ata që po përfitojnë nga antiamerikanizmi në Evropë janë aktualisht Rusia dhe Kina. Rusia ka një makineri të fuqishme propagande dhe pa asnjë dyshim do ta përdorë atë për ta portretizuar veten si një shembull i stabilitetit botëror, krahasuar me Amerikën e Joe Biden. Edhe forca të Europës Lindore të tipit ‘Lukashenko’ që i përkasin kësaj shkolle injorojnë vlerat Perëndimore dhe ndjekin këtë propagandë, por e fshehin admirimin nga frika e ndonjë ndëshkimi më të ashpër amerikan.
Lëvizja e fundit anti-amerikane në vendin tonë kërkon transparencë nga institucionet e SHBA, mbi akuzat që i janë ngritur, kërkon prova prej tyre, por çuditërisht i sfidon hapur ato dhe vlerat e tyre që përfaqësojnë, pasi nuk bën asnjë transparencë për shpenzimet e një fushate individuale, që zgjati gati për dy muaj.
Kjo lëvizje mbledh kryesisht njerëz të cilët duan pasuri dhe privilegje pa punuar, pa garë, ose pa i merituar ato, siç edhe u mësuan dhe u edukuan në këto tri dekada; njerëz me ambicje të shfrenuar, që u argëtuan duke vjedhur dhe zaptuar pronat publike ose të të tjerëve, si dhe e bazuan të ardhmen e tyre duke ngritur gishtat a çfarë të mundeshin lart, duke abuzuar dhe mashtruar mbi të ardhmen tonë të përbashkët.
Ata fatkeqësisht ishin dhe mbetën për 30 vite, si në opozitë ashtu edhe në pushtet, fitimtarët e kaosit që mbodhën në Shqipëri. Nuk njohin asnjë institucion tjetër, veç një institucioni të vetëm, që është udhëheqësi shpirtëror i cili i udhëheq dhe i mban me shpresë për të tjera pasuri dhe privilegje të pamerituara, duke vepruar pa i hetuar dhe i kontrolluar askush.
Sikurse në ’90, ata po “bashkohen” pavarësisht ndarjes për t’i shpëtuar rrezikut, sepse besojnë se nuk gabojnë siç bëjnë kundërshtarët e tyre; sikurse ulërasin se ndryshe nga “demokracia dhe vlerat e korruptura amerikane”, demokracia dhe pluralizmi shqiptar meriton qeveritarë si ata, krye-hetuesë si Adriatik Llalla si dhe një godinë hetuesie që nuk premton t’i hetojë kurrë.
A do ta njohë dhe përkrahë BE këto lëvizje?
Sulmi i fundit në Kapitol u dha terren rusëve dhe antiamerikanëve europianë, si dhe të gjithë anarkistëve, për të vënë në dyshim soliditetin e demokracisë amerikane dhe për të parë shpresë, në udhëtimin e tyre pa krye.
Mesazhi i Kinës deri më tani ka qenë se është në shënjestër të padrejtë nga SHBA-ja dhe ajo do të shfrytëzojë rastin për të pohuar se Amerika e gjithëfuqishme është në fakt çuditërisht e pabesueshme kur bëhet fjalë për marrjen e vendimeve të mëdha gjeopolitike.
Shtetet e Bashkuara, në teori, sot kanë inteligjencën më të mirë, duke përfshirë mbikëqyrje të detajuar ajrore për të gjitha vendet e tjera. SHBA i jep siguri Europës. BE-ja dhe vendet që aspirojnë t’i bashkohen Europës janë të detyruara t’i thonë ‘jo’ anti-amerikanizmit primitiv. Europa e Bashkuar e ka për detyrë të qëndrojë vigjilente dhe të ruajë marrëdhëniet transatlantike, pavarësisht këtij momenti të vështirë, duke shuar shpresat e çdo faktori të dyshimtë që pret të përfitojë nga çdo moment kaotik.
Shqipëria është një vend i vogël për t’u kthyer në faktor ndërkombëtar, prandaj si vend anëtar i NATO-s rruga për më tej do të mbetet e hapur, siç është vullneti i shqiptarëve, vetëm për një opozitë dhe politikë pro-amerikane. Kjo lëvizje po i qartëson palët sot. Çdo gjë tjetër nesër do të konsiderohet humbje kohe.