Kryedemokrati Lulzim Basha ka qenë sonte i ftuar në News24, përballë gazetarit Sokol Balla në ‘Real Story’, ku ka folur për zhvillimet e fundit pas Kuvendit Kombëtar të PD. Ai e nisi me një përgjigje për çlirimin nga e kaluara.

Basha tha se Shqipëria ndodhet sot në udhëkryq dhe PD është shpresa e vetme, por se çlirimi vjen me përgjegjësinë e madhe. Basha theksoi se mbi PD rëndon guri i provës, kthimi i besimit tek politika si mjet ndryshimi.

“Dy fjalët që u përdorën më shumë nga pjesëmarrësit ishin çlirimi dhe ajri, frymëmarrja. Pa diskutim që këto ndikojnë dhe tek unë, ndonëse detyra e kryetarit të partisë është që të mos merret peng nga ndjenjat e momentit, por të shikojë përtej tyre.

Ajo që është e rëndësishme është që Shqipëria ndodhet në udhëkryq. PD me gjithë procesin e vështirë që po kalon është shpresa e vetme për daljen nga ky udhëkryq, sepse përballë kemi një qeveri të lodhur, të drobitur duke ngrënë. Në këtë kuptim në të njëjtën kohë që për shumë kënd sikundër dhe për ju, kritik i kahershëm i PD, e ndiej kudo, tek demokratët, dhjetoristët, themeluesit, tek ata që janë ndjerë të flakur prej vitesh, të anashkaluar, të zhgënjyer; edhe tek ata që janë të zhgënjyer me mua, me mendimet e mia, por bashkë me këtë sens lirie, që i gëzohet shumëkush, në veçanti ajo pjesë e shoqërisë që nuk e shet dhe nuk e blen votën që ka besim tek politika, nuk mund të them që për ta çliruar një sens çlirimi nga pesha e rëndë e së shkuarës nuk zgjati shumë sepse vjen me përgjegjësinë e jashtëzakonshme, për ta kthyer këtë identitet të rigjetur të PD që lindi si partia e shpresës, partia e lirisë. Lindi në ditët më të errëta të Shqipërisë, si partia e shpresës. Tani mbi ne rëndon guri i provës për të kthyer besimin tek politika si një instrument ndryshimi. Guri i provës është tani tek ne, tek PDSH. Askush nuk pret gjë nga Edi Rama. As vetë socialistët nuk presin dhe kjo është një barrë e madhe. Liria vjen me përgjegjësi të mëdha. Ky është lajtmotivi kryesor që nga Kuvendi”, deklaroi Basha.