Shqipëria është përfshirë nga moti i keq me reshje shiu, rrufe, erë të fortë në zona të caktuara si edhe temperatura të ulta. Gjatë ditë dhe mbrëmjes së djeshme pati një përkeqësim të motit me reshje të dendura në pjesën më të madhe të Shqipërisë.

Situata duket më e stabilizuar sot, ndërsa më e keqja pritet gjatë mbrëmjes së nesërme si edhe mëngjesin e së hënës ku reshjet e dendura dhe rrufetë do të përfshijnë thuajse të gjithë Ultësirën Perëndimore si edhe zonat bregdetare të Jonit, raporton abcnews.al.

Si pasoja e rrymave që vijnë nga veriu i Adriatikut, moti i keq me reshje dhe shkarkesa atmosferike pritet të fillojë pasditen e nesërme rreth orës 17:00-18:00 në zonën e Shkodrës dhe Lezhës dhe më pas me kalimin e orëve do të zbresë më në jug, në Durrës, Kavajë, bregdetin e Fierit sie dhe në Vlorë.

Reshjet pritet të jenë të dendura me një intensitet deri 25 mm shi për orë në këto zona. Ndërkohë, gjatë orëve të para të ditës së hënë, reshjet e dendura dhe rrufetë do të zbresin në zonën e bregdetit të Jonit, kryesisht në Himarë dhe Sarandë.

Moti do të jetë me re dhe reshje gjatë të hënës, për të patur një përmirësim gjatë të martës dhe të mërkurës.