Françeska Cerepi, nga qyteti i Gjirokastrës, mori pjesë në panairin e 27-të të Tiranës që u organizua nga data 1-4 dhjetor nga “Klik Ekspo Group”, në Pallatin e Kongreseve, si përfaqësuese dy hoteleve tradicionale që janë hapur në Gjirokastër në vitin 2000 dhe 2015.

“Hotelet tona janë karakteristike gjirokastrite, me veshje guri dhe druri si nga jashtë dhe nga brenda, dhe përfaqësojnë traditën atë që ne duam ta vazhdojmë nëpërmjet brezave. Gjithashtu në këtë mënyrë, ne synojmë të jemi sa më atraktive për turistët dhe vizitorët”, shprehet Françeska.

Hotelet tradicionale janë të veçanta sepse para se ato të ktheheshin në hotele kanë qenë shtëpi muze të kategorisë 2.

“Dhe kjo e bën më atraktive sepse janë të veçanta për strukturën e ndërtimit që ato kanë. Kemi ruajtur një filozofi, që të gjitha dhomat të jenë të ndryshme nga njëra-tjetra, në mënyrë që një klient pasi vjen një herë, në qoftë se vjen për herë të dytë do jetë në një dhomë krejtësisht ndryshe për një eksperiencë të re, dhe kjo është e veçanta që jemi përpjekur ta mbajmë tek hotelet tona”, tha ajo.

Gjirokastra është një ndër qytetet e veçanta turistike dhe tërheq vizitorë dhe turistë të huja në çdo stinë të vitit.