Zyrtarët e qeverisë spanjolle do të zhvillojnë të mërkurën një takim për të vlerësuar numrin në rritje të shpejtë të rasteve të koronavirusit në vend, sipas kryeministrit Pedro Sanchez.

“Liderët e rajoneve të ndryshme spanjolle do t’i bashkohen videokonferencës për të diskutuar masat që mund të merren kundër pandemisë tani që varianti Omicron po qarkullon në Spanjë”, tha Sanchez të dielën.

Sipas ekspertëve Omicron pritet të jetë versioni dominues i virusit.

Sanchez tha se, rreziku për popullsinë e Spanjës është “real”, edhe pse 90 për qind e popullsisë, nga 12 vjeç e lart është e vaksinuar. Ai tha se vendi po përjeton valën e tij të gjashtë të koronavirusit dhe numri i rasteve po rritet me shpejtësi me 320 persona të infektuar për 100,000 banorë gjatë shtatë ditëve të fundit.

Megjithatë, ende nuk priten masa drastike siç është izolimi, pasi kapaciteti i spitalit nuk është aq i tendosur sa ishte një vit më parë. Për momentin, janë rreth 1300 pacientë në njësitë intensive të Spanjës, duke zënë rreth 14 për qind të kapacitetit.

Shumica e qyteteve në Spanjë po veprojnë sipas rregullave që kufizon aksesin në hapësirat publike për personat që janë vaksinuar ose shëruar nga koronavirusi ose që i janë nënshtruar një testi kohët e fundit. Vetëm Ishujve Kanarie u është dashur të zbatojnë rregulla që kufizojnë madhësinë e turmës.