Vonesa e fillimit të negociatave me Maqedoninë e Veriut është hap i pandershëm nga ana e BE-së, sepse vendi ka bërë gjithçka që është e nevojshme për hapjen e procesit të negociatave, deklaroi ministri hungarez i Punëve të Jashtme dhe Tregti, Peter Szijarto, në konferencën e përbashkët me ministrin maqedonas të Punëve të Jashtme, Bujar Osmani.
”Hungaria kërkon që negociatat me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë të fillojnë menjëherë”, shtoi ai.
”Ne ishim të pakënaqur dhe të frustruar me konkluzionet në Bruksel për zgjerimin dhe i konsiderojmë të gjitha ato vendime si shumë të padrejta. Nëse do të donim të ishim të sinqertë, do të duhej të thoshim se këtë vit Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria duhet të fillojnë negociatat. Me respekt kërkojmë nga miqtë tanë nga Bullgaria që çështjet e tyre kombëtare që i konsiderojnë si pengesë t’i realizojnë gjatë negociatave, ndërsa jo duke penguar fillimin e negociatave”, nënvizoi Szijarto.
”Pozicioni gjeografik i Ballkanit Perëndimor duket se e bën gjithnjë e më të vështirë kuptimin e proceseve që po ndodhin në rajon dhe ne kemi një ndjenjë se politika e BE-së ndaj Ballkanit Perëndimor po bëhet gjithnjë e më joefikase”, theksoi ai.
”BE-ja tani po përballet me sfida historike dhe për këtë arsye do të na duhej një sukses pozitiv dhe besojmë se zgjerimi do të nënkuptonte sukses për BE-në dhe për këtë arsye Hungaria do të bëjë gjithçka që është e mundur për të filluar sa më shpejt zgjerimin me Ballkanin Perëndimor”, shtoi Szijarto.
”Ne mbetemi të përkushtuar në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian, që paraqet interesin tonë strategjik dhe mund t’ju siguroj se vazhdojmë të punojmë me fqinjët tanë me ritme të pandërprera”, theksoi Osmani.
”Bullgaria është anëtare e Bashkimit Evropian. Ne presim që qeveria e re në Sofje të tregojë ndjeshmëri evropiane, partneritet dhe kujdes për fqinjët e saj. Ne jemi tashmë aleatë të NATO-s dhe miqtë tanë të NATO-s, si Hungaria, presin që ne të tregojmë se jemi mjaft të pjekur për të kapërcyer dallimet tona dhe kështu të kontribuojmë në forcimin e sigurisë dhe stabilitetit të përbashkët”, shtoi Osmani, në konferencën për shtyp me ministrin hungarez, Szijarto.