Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla drejtoi paraditen e sotme mbledhjen përgatitore dhe koordinuese të formimit të grupit vullnetar “Aleanca e Grave Deputete”.

Përveç grave deputete të Kuvendit, në mbledhje ishte e pranishme edhe Clarisse Pasztory, zëvëndëskryetare e Prezencës së OSBE-së në Shqipëri si edhe Erisa Lame, koordinatore programi në Ambasadën e Zvicrës.

Aleanca e Grave Deputete është një organizim vullnetar i deputeteve në Kuvendin e Shqipërisë, me objektiv rritjen e pjesëmarrjes së grave në Kuvend dhe në pushtetin vendor.

Në takim u diskutua mbi përmirësimin e legjislacionit me ndjeshmëri ligjore si edhe mbi rritjen e kontributit të grave deputete në Kuvend dhe jetën politike, ekonomike e shoqërore të vendit.

Në fjalën e saj, Nikolla nënvizoi se “Aleanca e Grave Deputete, si një organizim vullnetar i grave ligjvënëse të të gjitha grupimeve politike në Kuvend, ka si objektiv rritjen e pjesëmarrjes së grave në Kuvend dhe në pushtetin vendor minimalisht me 40 për qind.

“Është një arritje jo vetëm e grave, por edhe e vetë Kuvendit, që këtë legjislaturë kemi 50 gra të zgjedhura deputete, të cilat përbëjnë rreth 36 për qind të numrit të deputetëve të Kuvendit. Krahasuar me legjislaturën e kaluar, kur ishim 36 gra deputete, kemi bërë një hap të madh përpara dhe jemi shumë afër objektivit të Aleancës. Është gjithashtu një sukses që gjysma e komisioneve të përhershme të Kuvendit drejtohen prej katër kolegeve tona. Aleanca e Grave Deputete ka si pikënisje konsensusin për barazinë gjinore, por faktikisht objektivi ynë shkon, dhe duhet të shkojë përtej kësaj. Unë ju bëj thirrje të kontribuojmë që në Kuvendin e Shqipërisë, nëpërmjet debatit dhe përplasjes për idetë dhe alternativat, të kemi më shumë konsensus për ligjet dhe vendim-marrjet në shërbim të interesit publik dhe kombëtar, integrimit evropian të Shqipërisë dhe thellimit e avancimit të reformave. Aleanca jonë vërtet ka si objektiv rritjen e përfaqësimit të grave. Por ne duhet të kontribuojmë për të shkuar më tej se ky objektiv, më tej se lufta, fushatat ndërgjegjësuese dhe kontributet për barazinë gjinore, luftën kundër dhunës me bazë gjinore, dhunës në familje dhe dhunës kundër fëmijëve. Ne duhet dhe do të arrijmë të bëjmë, natyrisht me përkushtimin tuaj, objekt të veprimtarisë sonë çështje të të gjithë shoqërisë. Sepse çështjet që na preokupojnë ne, nënat, motrat dhe vajzat tona, nuk zgjidhen nëse nuk bëhen çështje të të gjithë shoqërisë”, ka thënë Nikolla.

Nga ana e saj Clarisse Pasztory, vlerësoi arritjet e Kuvendit në përfaqësimin gjinor dhe legjislacionin me ndjeshmëri gjinore dhe shprehu angazhimin e OSBE-së për të rritur mbështetjen për Kuvendin e Shqipërisë për këto çështje.

Po ashtu në këtë takim përfaqësuese të Kuvendit të Kosovës dhe Kuvendit të Maqedonisë së Veriut sollën përvojat e tyre mbi arritjet dhe problematikat e barazisë gjinore dhe hartimin e legjislacionit me ndjeshmëri gjinore.

Mbledhja përgatitore vendosi zhvillimin e mbledhjes konstituuese të grupit “Aleanca e Grave Deputete” në muajin janar 2022 si edhe rekomandoi fillimin e përgatitjeve për hartimin e planit të veprimit dhe të aktiviteteve të grupit për vitin 2022.

Fjala e plotë e Kryetares së Kuvendit, Lindita Nikolla:

“Aleanca e Grave Deputete, si një organizim vullnetar i grave ligjvënëse të të gjitha grupimeve politike në Kuvend, ka si objektiv rritjen e pjesëmarrjes së grave në Kuvend dhe në pushtetin vendor minimalisht me 40 për qind.

Është padyshim një arritje jo vetëm e grave, por edhe e vetë Kuvendit, që këtë legjislaturë kemi 50 gra të zgjedhura deputete, të cilat përbëjnë rreth 36 për qind të numrit të deputetëve të Kuvendit.

Krahasuar me legjislaturën e kaluar, kur ishim 36 gra deputete, kemi bërë një hap të madh përpara dhe jemi shumë afër objektivit të Aleancës sonë.

Është gjithashtu një sukses që gjysma e komisioneve të përhershme të Kuvendit drejtohen prej katër kolegeve tona.

Më shumë se gjysma jonë hyn në Kuvendin e Shqipërisë për herë të parë. Pra, 26 nga 64 ligjvënësit që hyjnë për herë të parë në Kuvend janë gra.

Ndërsa gjysma jonë janë zgjedhur në këtë legjislaturë duke pasur më parë përvoja parlamentare, një ose disa mandate. Ju jeni një aset i vyer i Kuvendit sepse po vini në shërbim të legjislaturës dhe të qytetarëve kompetencat tuaja profesionale dhe përvojat tuaja parlamentare.

Por edhe gjysma jonë që janë zgjedhur për herë të parë janë një aset po kaq i vyer sepse ju vini në dispozicion të legjislaturës, Kuvendit dhe qytetarëve dinamizmin, energjitë, përkushtimin, kulturën dhe qytetarinë tuaj.

Në Kuvend kemi, pra, një përfaqësim të harmonizuar të brezave të grave e vajzave deputete.

Suksesi nuk qëndron vetëm te shifrat, por edhe te cilësia e grave deputete.

Ju, zonja të nderuara, vini në Kuvendin e Shqipërisë, me një rezervuar të madh dijesh, profesionesh, aftësish, kompetencash, përvojash dhe veprimtarie e bindjesh politike.

Të gjitha këto, përfshirë pozicionet tuaja në spektrin politik shqiptar dhe në grupet parlamentare, përbëjnë një pasuri të Kuvendit të Shqipërisë, një faktor dhe një forcë qytetëruese e Kuvendit dhe e jetës së vendit.

Unë jam e bindur se këtë pasuri ju do ta përdorni në shërbim të interesit publik, për të kontribuar që Kuvendi i Shqipërisë gjatë kësaj legjislature të prodhojë ligje sa më cilësore, të ushtrojë me më shumë produktivitet e kompetencë kontrollin parlamentar dhe të përfaqësojë denjësisht Shqipërinë dhe qytetarët e saj.

Dëshiroj t’ju përgëzoj sepse gjatë sesionit të parë të kësaj legjislature, pavarësisht kufizimeve dhe detyrimeve që ju imponojnë përkatësitë tuaja politike, unë kam arritur të dalloj dhe të ndjej pulsin, motivimin dhe investimin tuaj në shërbim të Shqipërisë.

Para pak ditësh, ne konstatuuam një tjetër grup vullnetar të Kuvendit, Grupin e Deputetëve Miqtë e Fëmijëve, në drejtimin e të cilit janë zgjedhur koleget tona nga të gjitha grupet parlamentare.

I tillë do të jetë edhe drejtimi i grupit Aleanca e Grave Deputete.

Unë kam bindjen se ashtu si Miqtë e Fëmijëve, edhe Gratë Deputete, do të bëhen një vlerë e shtuar e Kuvendit të Shqipërisë.

Nëpërmjet kontributit tonë në këto grupime, ne kemi një mundësi më shumë për të kapërcyer barrierat politike dhe ideologjike dhe për të arritur një konsensus të gjerë.

Aleanca e Grave Deputete ka si pikënisje konsensusin për barazinë gjinore, por faktikisht objektivi ynë shkon, dhe duhet të shkojë përtej kësaj.

Unë ju bëj thirrje të kontribuojmë që në Kuvendin e Shqipërisë, nëpërmjet debatit dhe përplasjes për idetë dhe alternativat, të kemi më shumë konsensus për ligjet dhe vendim-marrjet në shërbim të interesit publik dhe kombëtar, integrimit evropian të Shqipërisë dhe thellimit e avancimit të reformave.

Të kontribuojmë që të evidentojmë dhe të investohemi për më shumë çështje mbipartiake.

Aleanca jonë vërtet ka si objektiv rritjen e përfaqësimit të grave. Por ne duhet të kontribuojmë për të shkuar më tej se ky objektiv, më tej se lufta, fushatat ndërgjegjësuese dhe kontributet për barazinë gjinore, luftën kundër dhunës me bazë gjinore, dhunës në familje dhe dhunës kundër fëmijëve.

Ne duhet dhe do të arrijmë të bëjmë, natyrisht me përkushtimin tuaj, objekt të veprimtarisë sonë çështje të të gjithë shoqërisë. Sepse çështjet që na preokupojnë ne, nënat, motrat dhe vajzat tona, nuk zgjidhen nëse nuk bëhen çështje të të gjithë shoqërisë.

Unë kam besim se Aleanca e Grave Deputete do të kontribuojë për të gjeneruar ide dhe debate publike, jo vetëm për tema të karakterit gjinor apo social, por tema e probleme që përshkojnë në mënyrë kapilare të gjithë shoqërinë shqiptare.

Është misioni ynë, e drejta jonë, por edhe detyra jonë, të kontribuojmë që ta bëjmë Shqipërinë një vend më të mirë, më një ekonomi më të fortë, me mirëqenie, përfshirje sociale dhe akses për të gjithë, me një shoqëri më të drejtë .