Parë me një sy të thjeshtë, të kesh një sulmues 20 vjeç që luan titullar në Premier Ligë dhe shënon 4 gola, njëri më i bukur se tjetri, do të thotë se ai në Kombëtaren e Shqipërisë duhet të jetë titullar i padiskutueshëm. Kurrë më parë Shqipëria nuk ka pasur një sulmues që të luante në kampionatin më të fortë në botë dhe aq më tepër në këtë moshë të re.
Edhe te Shqipëria Broja i ka dhënë provat, duke shënuar dy golat e dy fitoreve 1-0 ndaj Hungarisë, që e renditën Shqipërinë në vend të tretë në kualifikueset e Botërorit, pas Anglisë dhe Polonisë. Përtej gjithë kësaj situate, trajneri i Kombëtares, Edi Reja, vazhdon të deklarojë se sulmuesi nuk ka pasur një sjellje të mirë dhe tashmë Broja është çështja e ditës.
Deklarata e Rejës ka të bëjë me principet e futbollit dhe ndoshta pak me karakterin e Brojës. Më parë italiani e ka kritikuar lojtarin për mënyrën si lëviz në lojën pa top dhe ka thënë se duhet të punojë më shumë e të jetë më altruist e të mbrojë më shumë. Argumente që janë hedhur poshtë nga specilistë të futbollit, ish-lojtarë dhe ish-trajnerë të Kombëtares, të gjithë kundër Rejës.
Astrit Hafizi, një nga kritikët më të mëdhenj të trajnerit të Kombëtares, ka thënë: “Reja duhet të ketë shumë kujdes me Armando Brojën, sepse Shqipëria nuk është Italia”. Kjo deklaratë e Hafizit do të thotë se kuqezinjtë nuk e kanë luksin të kenë shumë alternativa si kombëtaret e mëdha dhe se lojtarin më premtues dhe më të talentuar duhet ta trajtojnë në mënyrë speciale, duke pranuar ndoshta edhe ndonjë “kapriço” të tij.
Altin Lala, ish-kapiten i Kombëtares, është shprehur qartë se Broja duhet të jetë titullar, sepse po kalon një formë shumë të mirë me klubin e tij. “Reja ka shumë eksperiencë dhe kërkon të menaxhojë sa më mirë grupin. Por, lojtarët që janë në formë me skuadrën e tyre, duhet të luajnë. Broja mund të ketë ndonjë mangësi në fazën mbrojtëse të lojës, por me formën që ka, ai duhet të luajë titullar, sepse për të fituar duhen golat dhe ai po shënon.
Ne shqiptarët kemi atë sjelljen tonë, që kur trajneri të lë një ndeshje në stol, ne lëmë çantën dhe ikim. Sigurisht, jam kundër kësaj. Duhet që skuadra të përshtatet me cilësitë që kanë lojtarët. Nuk po them se duhet ndërtuar skuadra rreth Brojës, por duhet krijuar një grup i fortë dhe solid. Unë do ta aktivizoja titullar Brojën, pastaj, nëse duhet mbrojtur diçka do ta ndërroja”, – ka thënë Lala në një intervistë të fundit.
Në krah të Brojës prej kohësh ka dalë edhe ish-sulmuesi i njohur i Kombëtares, Sokol Kushta. Me një postim në faqen e tij në Facebook, vlonjati inkurajon sulmuesin e ri. “Bravo Broja! Vazhdo kështu dhe mos lejo që të bëjnë dele!” – shkruan Kushta, një nga përkrahësit më të mëdhenj të sulmuesit të Çelsit, që tani luan në huazim te Southemptoni dhe po zbukuron Premier Ligën me golat e tij.
Broja dhe Reja janë një çështje e momentit dhe deri në ndeshjet e ardhshme të Kombëtares me siguri trajneri do të tërhiqet sadopak nga pozicioni i tij. Shqipëria nuk e ka luksin të çojë dëm një talent kaq të rrallë.