Rastet e koronavirusit vazhdojnë të rriten me shpejtësi në mbarë botën, kjo pasi edhe varianti Omicron po përhapet gjithmonë e më shumë, ndërsa disa vende dhe qeveritë e tyre po mendojnë seriozisht të japin një dozë të katërt të vaksinës. Izraeli është vendi i parë në botë që vlerësoi domosdoshmërinë e dozës së dytë përforcuese kundër koronavirusit. Kështu po ky vend ka dhënë dritën jeshile për këstin e katërt për personat mbi 60 vjeç dhe profesionistët e shëndetësisë.

“Njerëzit do të ndjekin gjurmët tona”, shkroi dje kryeministri izraelit Naftali Bennett në Twitter. Bennett theksoi gjithashtu se ky është “lajm i jashtëzakonshëm që do të na ndihmojë të kapërcejmë valën e variantit ‘Omicron’ që po përhapet në mbarë botën”. Qeveria e Tel Avivit ka parë që rastet e Omicron janë rritur në mënyrë alarmante, duke i ndaluar udhëtarët e huaj të hyjnë në vend nga 25 nëntori dhe duke zgjeruar një listë të vendeve me rrezik të lartë (përfshirë Shtetet e Bashkuara) për të udhëtuar qytetarët e saj.

Sipas Ministrisë izraelite të Shëndetësisë, deri më tani janë identifikuar të paktën 340 raste të mutacionit Omicron. Në Gjermani, Ministri i ri i Shëndetësisë, Karl Lauterbach, deklaroi se tani nevojitet një dozë tjetër përforcuese e vaksinës për të frenuar përhapjen e variantit shumë ngjitës Omicron. Qeveria e Olaf Solz ka urdhëruar tashmë miliona doza të reja të vaksinës, me ministrin e shëndetësisë duke paralajmëruar se do të nevojitet një dozë e katërt për të trajtuar llojin shumë ngjitës. Në një deklaratë, Ministria e Shëndetësisë njoftoi pardje se ka porositur 80 milionë doza të vaksinës Pfizer/Biontech.