Ministrja e Punëve të Jashtme, Olta Xhaçka, mori pjesë në takimin e Këshillit të Atlantikut të Veriut (NAC), në format të Ministrave të Punëve të Jashtme, takim ky i cili u zhvillua në Riga, Letoni, me pjesëmarrjen e Sekretarit amerikan të Shtetit, Anthony Blinken dhe Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg.
Në një reagim Xhaçka theksoi se, në takimin e NATO-s u zhvilluan diskutime konstruktive në një kohë të shqetësimeve në rritje për sigurinë dhe stabilitetin në kufijtë e NATO-s.
Ajo shtoi se në takim u ndanë shqetësimet e përbashkëta për situatën në Ukrainë.
“Diskutime konstruktive me NATO-n në takimin e ministrave të Jashtëm në Riga, “Koncepti Strategjik 2022”, në një kohë shqetësimesh në rritje për sigurinë dhe stabilitetin në kufijtë e NATO-s. Ne ndamë shqetësimin e përbashkët për situatën në Ukrainë dhe thirrjen e përbashkët për dialog, si rruga për të ecur përpara”, shprehet Xhaçka.
Xhaçka u shpreh optimiste se “Koncepti Strategjik 2022” do të njohë qartë rëndësinë strategjike të Ballkanit Perëndimor.
“Jam optimiste se Koncepti Strategjik 2022 do të njohë qartë rëndësinë strategjike të Ballkanit Perëndimor. Një Ballkan Perëndimor më i sigurt dhe më i qëndrueshëm ka ndikim të drejtpërdrejtë në sigurinë e Evropës. Të bindur se një NATO solidare, e bashkuar nga vlerat e saj, mund të përballojë çdo sfidë”, theksoi Xhaçka.