Kryeministri i Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev i kërkoi liderit të ri të LSDM-së Dimitar Kovaçevski që të ruajë vlerat e partisë, ndërkohë që i dorëzoi dje në mbrëmje detyrën.
Zaev theksoi se këto vlera janë: “liria, solidariteti, demokracia, barazia dhe ruajtja e kapacitetit dhe potencialit demokratik”, duke theksuar se “kjo parti i duhet shtetit”.
“LSDM është një nga partitë më të mëdha shtetformuese që në gjithë këto 30 vite pavarësi ka luajtur rolin e saj shtetëror. Amaneti që të fitoj në zgjedhjet e ardhshme, që LSDM-ja dhe vlerat e saj të zbatohen edhe më shumë”, tha Zaev në një prononcim për TV 24.
Kujtojmë që në fjalimin e fitores Kovaçevski u shpreh se programet e tyre zgjedhore do të jenë pjesë e strategjisë së re të partisë. “Shokë, sonte LSDM është fituese. Sonte LSDM mbajti edhe një leksion nga demokracia. Të gjithë mund të festojmë zgjedhjet e suksesshme, por nga nesër duhet të përveshim mëngët dhe t’i shkojmë punës,” tha Kovaçevski.