Presidenti amerikan, Joe Biden dhe homologu i tij rus, Vladimir Putin, ditën e nesërme, do të zhvillojnë një bisedë telefonike. Lajmin e bëri të ditur Shtëpia e Bardhë dhe kjo lëvizje vjen në kohën e rritjes së tensioneve për shkak të grumbullimit të trupave ruse në kufi të Ukrainës dhe kërkesave të Rusisë për garanci të sigurisë.
Raportohet se të dy liderët do të “diskutojnë për një sërë temash, përfshirë edhe për angazhimet e ardhshme diplomatike me Rusinë”, tha zëdhënësja e Këshillit për Siguri Kombëtare, Emily Horne. “Administrata Biden vazhdon të angazhohet në diplomaci të gjerë me aleatët dhe partnerët tanë evropianë, duke u konsultuar dhe koordinuar për një qasje të përbashkët në përgjigje të grumbullimit të ushtrisë ruse në kufi me Ukrainën”, tha Horne përmes një deklarate.
Një zëdhënëse e Këshillit të Sigurisë Kombëtare tha se Presidenti Biden ka biseduar me liderët evropianë dhe zyrtarët e administratës së tij janë konsultuar me NATO-n, Bashkimin Evropian dhe Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), u tha në deklaratë. Bisedimet kanë përfshirë edhe konsultat me qeveritë në Evropën Lindore, përfshirë edhe Ukrainën, si dhe formatit të Nëntë të Bukureshtit (B9). Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken më 29 dhjetor zhvilloi një bisedë me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelenskiy, njoftoi Departamenti amerikan i Shtetit.