Filmi artistik nga Kosova, “Zgjoi” (Hive) me regji të Blerta Bashollit është futur në listën e ngushtë për nominim për Çmimin prestigjioz Oscar.

“Zgjoi” është përzgjedhur mes 15 filmave ndërkombëtare për edicionin e 94-të të Çmimit Oscar.

Filmi “Zgjoi” është i frymëzuar nga historia e vërtetë e Fahrije Hotit nga Krusha e Madhe, e cila në kërkim të burrit të saj të humbur gjatë luftës në Kosovë, fillon një biznes bujqësor për ta siguruar mbijetesën e familjes.

Përpjekjet e saj vështirësohen, teksa gruaja përballet me një ambient tradicionalisht patriarkal ku ambicia e gruas për t’u zhvilluar nuk shihet me sy të mirë. Por asgjë nuk e ndaloi Fahrijen në misionin e saj, gjë që e intrigoi Bashollin që të realizojë një film të bazuar në jetën e saj. Rolin e Fahrijes e luan aktorja kosovare, Yllka Gashi.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani e quajti sukses të jashtëzakonshëm futjen në listën e ngushtë për nominim të filmit “Zgjoi”. Ky film është shpërblyer me çmime të shumta përfshirë edhe tri çmimet kryesore në Sundance Film Festival.

Nëse fiton nomimin për Oscar, “Zgjoi” do të bëhej filmi i dytë nga Kosova që do ta arrinte një gjë të tillë, pasi më 2016, filmi “Shok” me regji dhe skenar të një regjisori britanik përfaqësoi kinematografinë e Kosovës në Oscar. Edicioni i 94-të i Çmimit Oscar mbahet më 27 mars, 2022.