Monedha e përbashkët i bashkoi edhe më tepër vendet e BE-së. Por për vendet e Evropës Jugore ajo solli mjaft probleme ekonomike.
Më 1 Janar 2002 dymbëdhjetë vende të BE-së futën në përdorim euron. Përveç Gjermanisë kjo monedhë u bë monedhë zyrtare edhe në Belgjikë, Finlandë, Francë, Greqi, Irlandë, Itali, Luksemburg, Holandë, Austri, Portugali dhe Spanjë.
Monedha e përbashkët i bashkoi edhe më tepër vendet e BE-së. Ky ishte një hap i madh për Bashkimin Evropian dhe një thes i madh surprizash gjithashtu, sepse askush nuk mund të parashikonte me siguri se si do të ecte monedha e re.
Monedha e dytë pas dollarit
Euroja i dha fund dominacës botërore të dollarit. Por si valutë rezervë, dollari vazhdon të jetë pa diskutim numri një. Sipas statistikave të Fondit Monetar Ndërkombëtar, rreth 59.2 për qind e të gjitha rezervave zyrtare të valutës në tremujorin e dytë të vitit 2021 ishin në dollarë amerikanë. Euroja renditet në vendin e dytë me 20.5 për qind.
Sa u përket transaksioneve ndërkombëtare të dy monedhat janë në të njëjtin nivel. Sipas të dhënave të organizatës SWIFT, kompjuterët e së cilës përdoren për të përpunuar pothuajse të gjitha transfertat globale, në tetor përmes rrjetit SWIFT janë transferuar afërsisht po aq para në dollarë amerikanë (39,1 për qind) sa në euro (38,1 për qind). Një vit më parë madje euroja ishte pak përpara dollarit.
Problem ekonomik për vendet e Evropës Jugore
Fuqia ekonomike e dymbëdhjetë vendeve që futën në përdorim euron në vitin 2002 është rritur që atëherë me gati 50 përqind. Por në shumicën e vendeve evropiano-jugore, megjithatë, rritja është shumë më e ulët se në veri. Kjo është e vërtetë edhe nëse nuk merren parasysh Luksemburgu dhe Irlanda, ku rritja ishte veçanërisht e fortë për shkak të sektorëve të financave dhe të IT në këto vende.
Portugalia, Greqia dhe Italia
Portugalia dhe Italia janë veçanërisht prapa. Dhe Greqia nuk ka shënuar pothuajse asnjë rritje ekonomike në këto 20 vjet. Arsyeja për këtë lidhet me borxhin e vendeve të eurozonës rreth dhjetë vjet më parë, si rezultat i së cilës ekonomia në shumë vende vende u tkurr. Ky proces ishte tepër dramatik sidomos për Greqinë dhe Italinë, të cilat duke mos pasur monedhë të vetën nuk mund ta zbusnin krizën duke zhvleftësuar monedhën vendase. Kriza e asaj kohe vazhdon të reflektohet në numrin e lartë të të papunëve në këto vende.