Me një postim në Facebook, Sekretari i Përgjithshëm i PS-së, Damian Gjiknuri shpreh mirënjohjen e tij për ata që themeluan Forumin Rinor Eurosocialist në vitin 1992.
Sipas Gjiknurit, njësoj si 30 vjet më parë, për PS ka një filozofi “e ardhmja është këtu dhe e ardhmja mund të ndërtohet me kontributin e gjithsecilit prej nesh”.
“Mirënjohje dhe respekt për atë grup të rinjsh dhe të rejash që në Janarin tashmë të largët të vitit 1992 zgjodhën me guxim të themelonin Forumin Rinor Eurosocialist. Këto 30 vite kanë dëshmuar më së miri se ata bënë zgjedhjen e duhur. Besuan tek Partia Socialiste dhe kjo parti u dha atyre mundësinë që të punojnë sëbashku për ta bërë Shqipërinë një vend më të mirë. Forumi Rinor Eurosocialist shërbeu si një fidanishte që i solli freskinë aq të nevojshme një partie që po transformohej e modernizohej me shpejtësi. Një forcë politike moderne, demokratike dhe e hapur si Partia Socialiste do të garantonte më pas një bashkëjetesë perfekte midis të resë dhe të vjetrës. Njësoj si 30 vjet më parë, për Partinë Socialiste ka një filozofi që qëndron në zemër të politikave të saj: e ardhmja është këtu dhe e ardhmja mund të ndërtohet me kontributin e gjithsecilit prej nesh. Faleminderit të gjithë atyre që kontribuuan dhe vazhdojnë të kontribuojnë me energjinë e tyre të pashtershme për rrjetin gjithnjë e më të madh të rinisë socialiste!”, shkruan ai.