Rritja e beftë e rasteve më koroanavirus ka bërë që gati 100 shkolla në Kosovë të kalojnë në mësim online.
Zëdhënësja e Ministrisë së Arsimit, Iliriana Pylla, tha se janë pothuajse 8000 nxënës e mësues të infektuar. “Aktualisht janë 1 mijë 375 mësimdhënës të infektuar aktiv dhe 6 mijë e 344 nxënës .
Ministria e Arsimit ka marrë vendim që task-forcat e shkollave në bashkëpunim me drejtoritë Komunale të Arsimit, në varësi të gjendjes që paraqitet me pandemi të marrin vendim për kalimin e mësimit në platformën online”, u shpreh zëdhënësja. Pavarësisht kësaj situate, ajo sqaroi se drejtuesit e institucioneve shëndetësore atyre të arsimit dhe njohës të çështjeve të arsimit kanë vlerësuar se shkollat duhet të jenë të fundit që do të mbyllen. Task Forca, në mbledhjen e mbajtur më 20 janar 2022, nxori rekomandimin që të shqyrtohet mundësia për kalim të klasës përkatësisht shkollës në skenarin C (mësimi online) në njërin nga këto raste:
•Nëse brenda 3 ditësh konfirmohen 2 ose më shumë raste të infektimit të nxënësve me virusin SARS-Covid-19 brenda një klase;
•Nëse më shumë se 5% e nxënësve të shkollës janë aktualisht të infektuar me virusin SARS-Covid-19;
•Nëse shkalla e infeksionit në mesin e personelit të shkollës është e tillë që mungesat nga puna pamundësojnë organizimin e procesit mësimor me prani fizike.